Kryetarja Topalli dhe kreu i PS-së shkëmbejnë replika për procesin
Eurodeputetja, Doris Pak, paralajmëroi dje opozitën që të nxisë qytetarët të pajisen me karta identiteti, por kreu i PS-së, Edi Rama, deklaroi se procesi rrezikon të dështojë. Deklarata e Ramës, në të kundërtën e rekomandimit të delegacionit të Parlamentit Evropian, mori një përgjigje nga Topalli, e cila tha se akuzat janë “frikë nga zgjedhjet”.
Procesi i pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti është jetik dhe një deklaratë e tillë erdhi nga kryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian në Tiranë, Doris Pak, e cila dha një paralajmërim për opozitën. Kreu i PS-së, Edi Rama, ka kundërshtuar Pakun, duke deklaruar se procesi po shkon drejt dështimit. Pak tha se kartat nuk mund të jepen falas dhe i kërkoi opozitës të mos japë premtime pa vlerë, por Rama nuk është i këtij mendimi, duke dalë kundër rekomandimeve të Parlamentit Evropian. “Ne gjendemi në kushtet kur ky proces rrezikon dështimin e tij. Nuk jemi aspak të lumtur, përkundrazi, jemi thellësisht të shqetësuar teksa shohim që procesi shkon drejt një qorrsokaku ku vendi i sapoanëtarësuar në NATO mund të kthehet në një problem për të gjithë, mund të marrë përsipër një njollë”, - deklaroi Rama dje në konferencën për NANO-n. Kryetari i PS-së, në të kundërt të kërkesës së eurodeputetes Doris Pak dhe vullnetit të faktorëve të tjerë politikë që kanë nxitur pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, nuk ka dhënë të njëjtën dëshirë. Ai nuk lëshoi asnjë deklaratë për të nxitur qytetarët që të aplikojnë sa më shpejt.
Në konferencën e NATO-s ishte e pranishme edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila u është përgjigjur këtyre akuzave të Ramës. Ajo tha se këto akuza janë frikë nga zgjedhjet. “Unë jam shumë e kënaqur që pas 18 vitesh, si asnjë herë tjetër, në zgjedhjet e ardhshme ne do shkojmë me infrastrukturën më moderne. Unë uroj që politikanët që drejtojnë partitë, ditën e zgjedhjeve ta shohin si një ditë feste. Dy ditë më parë takova një të njohur që po më thoshte se kishte frikë, kishte fobi të hipte në avion. Unë nuk mendoj që ata që drejtojnë partitë duhet të kenë frikë nga zgjedhjet, nuk mendoj që ata duhet të kenë fobi nga zgjedhjet, siç ndodh me disa”, - deklaroi Topalli. Gjatë konferencës së 13-të kombëtare të Shoqatës Kombëtare të Atlantikut të Veriut, u vlerësuan realizimi i reformave. Në të merrnin pjesë diplomatë të akredituar në Tiranë si dhe autoritete shqiptare. Ministri i Jashtëm Basha tha se anëtarësimi në NATO është një pikë kulmore për historinë e Shqipërisë, e cila ndahet nga e kaluara e saj. Topalli u shpreh se vendi realizoi reforma të thella. “Reformat që ne ndërmorën, janë të guximshme dhe sfiduese, sepse i tillë ishte edhe premtimi që u bëmë shqiptarëve – Shqipëria në NATO. Ne e përmbushëm këtë premtim sikurse u kemi dëshmuar shqiptarëve se ne dimë të mbajmë premtimet tona”, - deklaroi Topalli. Të pranishmit vlerësuan rolin e mazhorancës dhe opozitës në procesin e realizimit të reformave të mëdha.