E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza e mitur i shpëton përdhunimit të 17-vjeçarit, policia e lë të lirë

Policia e Sarandës ka shoqëruar mesditën e djeshme një 17-vjeçar nga fshati Gjashtë, i cili akuzohet se ka tentuar të përdhunojë një vajzë 8 vjeç. Burime nga policia bëjnë të ditur se adoleshenti me iniciale A.A, lindur në Sarandë dhe banues në fshatin Gjashtë, rreth 1.5 km larg qytetit të Sarandës ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një 8-vjeçare, fqinjë të tij. Krejt rastësisht skenën, e ka parë e ëma e vajzës, e cila ka mundur të shpëtojë të bijën nga abuzimi. Brenda disa minutash, familjarë të vajzës, kanë bërë denoncimin në Komisariatin e Policisë së Sarandës dhe uniformat blu, pas sinjalizimit kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë shoqërimin e të riut për në komisariat, si person i dyshuar. Pasi është marrë në pyetje dhe i është nënshtruar fotodaktiloskopimit, ai është lënë i lirë. Burimet policore thanë se 17-vjeçari do të hetohet në gjendje të lirë, për veprën penale "veprime të turpshme", parashikuar nga neni 108 i Kodit Penal.
Ndërkohë, familjarët e vajzës, shprehen të indinjuar për masën e marrë ndaj të riut. Ata kanë kërkuar që autori të gjykohet nën masën e arrestit dhe të dënohet nga drejtësia për krimin e kryer ndaj vogëlushes së tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›