Basha: Në fillim të mandatit të dytë, do të lëvizim të lirë
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha premtoi para kongresmenëve dhe simpatizantëve demokratë se liberalizimi i vizave, do të jetë prioriteti kryesor në mandatin e dytë të qeverisë Berisha. Në fjalën e tij përshëndetëse gjatë punimeve të kongresit të Partisë Demokratike, ministri Basha theksoi se rruga për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në shtetet e tjera europiane do të bëhet së shpejti realitet. Në një kohë rekord në historinë e unionit, në 28 prill, presidenti i Këshillit Europian mori nga duart e Berishës kërkesën për anëtarësim të plotë të vendit në BE.
Procesi i liberalizmit të vizave është në rrugë të mbarë. Në fillim të mandatit tonë të dytë, do të lëvizim pa viza si europianë të barabarët mes europianëve, nënvizoi Basha. Ministri i Jashtëm jo vetëm është shprehur i bindur për një fitore të mundshme në zgjedhjet e qershorit, por ka kërkuar nga kryeministri Berisha udhëheqjen për plotësimin e ëndrrave të çdo shqiptari. Berisha na udhëhiq, udhëhiqe Shqipërinë të plotësojnë ëndrrën e çdo shqiptari. Më 28 qershor me Partinë Demokratike fiton çdo shqiptar, vijoi ai. Duke nënvizuar se gjatë këtij katërvjeçari Shqipëria i është afruar së tepërmi të gjitha standardeve evropiane, tani mbas pranimit të Shqipërisë në Nato është radha për tu pranuar dhe në Bashkimin Europian. Ai i bëri dhe një rezyme rrugës së ndjekur nga qeveria Berisha për futjen dhe antarësimin e Shqipërisë në aleancën më të madhe ushtarake të Atlantikut Verior. Ndër të tjera ministri Basha ka përmendur rrugën e nisur për ndryshimin e Shqipërisë duke u ndaluar tek vendosmëria e hekurt e kryeministrit Berisha, si pasojë e të cilës u arrit rrëzimi i murit të izolimit nga keqqeverisja 8 vjeçare e socialistëve. Pas vitesh të tëra vend numëro, Shqipëria nisi rrugën drejt NATO-s dhe BE.