Editorial / Katër vite qeverisje Berisha, katër vite varfërim të shqiptarëve dhe katër vite babëzi pushtetarësh

Fushata zgjedhore më në fund u çel zyrtarisht nga Partia Demokratike, e cila ditën e djeshme bëri paradën e arritjeve gjatë drejtimit të ekzekutivit në këto katër vite. Mazhoranca nuk kishte kursyer ditën e djeshme paratë për të treguar luksin që i ka sjellë qenia në pushtet. Ministrat e qeverisë Berisha nuk u treguan të kursyer në vetëlavdërimet për sukseset e arritura, saqë fjalimet e mbajtura në këtë miting të kujtonin fjalimet e Enver Hoxhës në mbyllje të çdo pesëvjeçari. Sipas Topallit, Bodes, Olldashit dhe në fund Berishës, shqiptarët janë pasuruar dhe europianizuar nga qeverisja demokrate. Sipas fjalimmbajtësve, në qeverisjen e demokratëve, shqiptarëve ju rritën rrogat, pensionet, ju shtuan vendet e punës, ju rrit mirëqenia, ju shtua strehimi, u përmirësua klima e biznesit, etj, ku deklaratat histerike nuk kishin të mbaruar në glorifikimin e qeverisjes së tyre.
Në fakt ndryshimi më i madh ka ndodhur në mirëqenien e demokratëve, ku ministrat e sotëm janë shndërruar në miliarderë, posedues apartamentesh dhe vilash qindramilionë lekëshe, makinash luksoze dhe veshje superluksoze. Ndryshimi i qeveritarëve demokratë mund të vihet re lehtësisht mjafton të shikosh fotografitë e ministrave të Berishës para vitit 2005 dhe mund të tmerrohesh nga transformimi që kanë pësuar këta njerëz. Nga njerëz të dobët elegant, ku dominonin veshjet e cilësisë së ulët, sot kemi të bëjmë me njerëz të veshur me rroba firmato, ora firmato, makina firmato dhe zëdhënëse firmato. Metamorfoza e demokratëve flet shumë, dhe natyrisht që kjo metamorfozë ka ndikuar në psikologjinë e tyre për të konsideruar pjesë të vetes edhe shqiptarët, të cilët kanë pësuar ndryshim në invers me varfërim të tejskajshëm. Sot qytetari shqiptar ndihet dhjetë herë më varfër sesa para katër vjetësh. Sot biznesi shqiptar ka rënë në duart e kasapëve demokratë, të cilët nëpërmjet ligjeve antikushtetuese e kanë asfiksuar dhe masakruar, duke e dhunuar çdo ditë nëpërmjet referencave. Sistemi i taksave në Shqipëri është kthyer në Komision të Planit të Shtetit të shtetit monist, ku shteti i imponohet biznesit sesa do ta paguajë punëtorin, sa punëtorë do të punësojë, sa do e shesë produktin, sa do të fitojë dhe nëse nuk realizon parametrat e demokratëve je i destinuar të falimentosh. Për këtë proces kanë bërë edhe një ligj modern ministrat Ruli dhe Bode, ligj që i jep të drejtë tatimorëve të fillojnë procedurën e falimentit brenda dy vjetësh nëse biznesi nuk del me fitim (Qeveri për Gines). Biznesi shqiptar gjatë këtyre katër viteve ka qenë i përjashtuar nga tenderët, pasi vetëm njerëzit e Berishës mund të merrnin tenderë gjatë qeverisjes demokratë. Po të shikojmë me vëmendje të gjitha prokurimet publike në të gjithë institucionet qeveritare, të gjithë tenderët janë marrë me vlerën 99-99.5 për qind të vlerës fillestare të tenderit. Të gjithë fituesit janë njerëz të afërt të qeverisjes Berisha, të cilët janë edhe përfituesit më të mëdhenj. Nëse bëjmë krahasim me katër vjet më parë, kjo qeverisje nga konkurrenca në tender ka fituar vetëm 1 për qind të vlerës së prokurimit, ndërkohë që qeverisja paraardhëse e kishte vlerën e përfitimit nga 10 deri në 30 për qind. Qeveria Berisha pretendon se ka rritur pensionet ndërkohë që ka rritur çmimet me tre dhe katërfishin e tyre. Kështu çmimi i energjisë elektrike nga 7 lekë para 2005 sot paguhet me 14.4 lekë, vaj vegjetal nga 110 lekë në 250 lekë, buka nga 60 lekë në 80 dhe 100 lekë, orizi nga 60 lekë në 120 lekë, mielli nga 40 lekë në 100 lekë, makaronat nga 45 lekë në 100 lekë. Rritja e kostos së jetesës nga kjo qeverisje erdhi si rezultat i masave represive të sistemit fiskal ndaj biznesit, masa të cilat sollën edhe rritjen e kostos së shërbimit. Duke mos dashur të thellohemi më shumë në këtë shkrim i cili nuk ka karakter analitik por konstatues, duam të përmendim shkarazi faktet për të përcjellë në të ardhmen me fakte konkrete çka është shkruar më sipër, një tjetër problem evident i goditjes së biznesit është edhe dalja jashtë loje e bankave gjatë qeverisjes Berisha. Nga një sistem bankar në lulëzim në vitin 2005, qeverisja e Sali Berishës e ktheu sistemin bankar një sistem piramidal të mirëfilltë. Tashmë bankat vetëm kërkojnë para dhe nuk kreditojnë. Nëse Berisha e mbylli në 2007 me firmat piramidale, piramidat e reja që janë sot në treg janë një pjesë e mirë e bankave. Tashmë kreditimi është pezulluar. Bankat kryejnë vetëm shërbime pagash dhe blejnë bono thesari. Ekonomia shqiptare është në stanjacion të plotë dhe qeveria shqiptare vetë masturbohet me arritjet e saj nëpërmjet planeve që realizon me kompaninë Bechtel, e cila ka transferuar jashtë Shqipërisë rreth 350 milionë euro të shqiptarëve. Gjithë transaksioni Bechtel është një korrupsion i pastër i qeverisjes Berisha, korrupsion që po varfëron shqiptarët nga dita në ditë. Mjafton të kujtojmë qeverisjen Berisha se 50 kilometra më larg nga Bechtel firmat shqiptare e faturojnë beton me 80 deri në 100 euro metrin kub, ndërko0hë që Bechtel e faturon me 600 deri në 800 euro metrin kub. Qeveria shqiptare vazhdon të orgazmojë me sukseset e saj ndërkohë që ka pa mbaruar rrugën Lushnje-Fier, e cila zgjati 4 vjet me këtë qeveri të suksesshme. Kjo qeveri ka të pambaruar rrugën Fier-Vlorë, Fier-Tepelenë, rrugë të cilat kanë qenë të projektuara, studiuara dhe financuara nga qeveria paraardhëse. Porsa i përket sukseseve të qeverisjes Berisha, mund të themi me plot gojën se sistemi i shëndetësisë është një katastrofë, sistemi arsimor është një katastrofë. Fëmijët tanë vazhdojnë të mësojnë 4 veta në një bankë duke duruar të ftohtin e dimrit dhe të nxehtin e verës. Pa llogaritur që një pjesë e mirë e qytetarëve shpenzojnë nga buxheti familjar në shkolla private, të detyruar nga mizerabiliteti i gjendjes së shkollave edhe pas 4 vitesh qeverisje Berisha. Për ta mbyllur me krahasimet që janë pa fund, mund të themi me plot gojën se kjo qeveri ka diskriminuar shqiptarët duke i bllokuar lëvizjen në det me mashtrimin e madh se do të liberalizonte vizat. Sot të huajt mund të udhëtojnë lirisht me jahte, skafe apo barka në detet shqiptare, ndërkohë që shqiptarët janë të privuar, për më tepër, vizat janë shtrenjtuar. Një vizë shengen kushton 4500 euro në tregun e zi. Pa dyshim që edhe kjo duhet të jetë sukses i qeverisjes Berisha. Parada e djeshme e ministrave të qeverisjes Berisha ishte identike me frymën totalitariste të Hitlerit, Duçes, Enverit dhe më në fund të Saliut. Edhe propozimi i fundit i bërë për ti vënë rrugës Durrës-Kukës emrin e Sali Berishës është pjesë e kësaj teknologjie. Nëse edhe kjo rrugë do marrë këtë emër, Gërdecit duhet ti vëmë emrin Shkëlzen Berisha, pasi e bëri të njohur në gjithë botën.