E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi i PD, Berisha: Shqipëria në Europë, në mandatin e dytë qeverisës

Kreu i qeverisë njëkohësisht dhe kryetari i Partisë Demokratike në kongresin elektoral të kësaj force politike ka shpalosur të gjitha fushat që qeveria e tij do të ketë prioritet në katër vitet e ardhshme. Duke premtuar se Shqipëria në vitin 2009 do të jetë vendi me rritjen më të lartë ekonomike, Berisha premtoi një qeveri me duar të pastra, një qeveri më të vogël, një qeveri të dietës. Duart e pastra të Sali Berishës do të çojnë Shqipërinë shumë përpara. Unë ju premtoj ju një qeveri edhe më të vogël. Tashmë i kemi lënë pas qeveritë e babëzisë dhe kemi qeveri të dietës. Dieta katër vitet që vijnë do të jetë shumë më e rreptë. Qeveria ima javën e parë do të votojë ligjin, i cili do ti zhveshë zyrtarët, ministrat, deputetët, qeveritarët shtetarë nga privilegje të pamerituara, që rëndojnë mbi supet tuaja. Betejën e kemi fituar, luftën do ta fitojmë, nënvizoi kreu i qeverisë. Duke synuar fitoren në këto zgjedhje dhe vazhdimin e drejtimit të qeverisë së ardhshme, kryeministri Berisha premtoi se lufta kundër korrupsionit nuk do të ketë të ndalur dhe se në qendër të punës së kabinetit të tij do të jetë puna e ndershme dhe transparente ndaj publikut. Ne do të heqim korrupsionin në hipoteka, në shëndetësi dhe në të gjitha ato institucione që janë në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Unë jam i bindur se në 28 qershor, shqiptarët do të votojnë për Sali Berishën, veçoi ai. Ndërsa në lidhje me taksat, Berisha premtoi vazhdimin e reformave, duke premtuar se Shqipëria do të mbetet vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë dhe gjithashtu edhe vend lider i investimeve të huaja. Duke mbetur ithtar dhe besnik i standardeve të larta ekonomike do të mbështetem në luftën ndaj dhimbjes qytetare. Unë do të bëj çdo përpjekje kundër varfërisë dhe nuk do të lejojë që asnjë qytetar të mos ndihet i përjashtuar, theksoi kreu i qeverisë. Ndër të tjera, Berisha vlerësoi arritjet e qeverisë së tij në këto katër vjet në drejtim të vendit, duke shprehur bindjen se premtimet e mbajtura dhe reformat e ndërmarra janë leva e Arkimedit për të ecur përpara.
Minoritetet dhe përfaqësimi i tyre në institucione
Gjatë fjalës së tij në këtë kongres, kryeministri shtoi se katër vitet e ardhshme do të arrihet një tjetër horizont për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, duke përmendur si një ndër pikat më të forta të programit, trajtimin e minoriteteve dhe përfaqësimin e tyre në institucione. Do të punojmë fort edhe për respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore për komunitetin egjiptian dhe atë rom, ku do të respektohet edhe komunitetet fetare, u shpreh Berisha. Shefi i qeverisë ka shkuar më tej, kur ka premtuar se Shqipëria do të njohë një zhvillim të madh në mandatin e ardhshëm, duke lënë pas madje disa vende të Bashkimit Evropian, ku sipas tij integrimi në strukturat evropiane, do të shndërrohet në realitet të prekshëm për çdo shqiptar. Shqipëria europiane, është para së gjithash Shqipëria e institucioneve demokratike dhe të pavarura. Në 4 vitet që vijnë ne zotohemi për respektimin e lirisë së mediave, si dhe për konsolidimin e tolerancës fetare si një traditë e çmuar, nënvizoi kryeministri Berisha. Lëvizja e lirë brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës dhe Shqipëria në Europë, sipas kryeministrit Berisha, është zotimi i PD-së për 4 vitet e ardhshme. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë premtoi se në vitin 2013, Shqipëria do të jetë gati për verdiktin final të 27 vendeve anëtare të BE-së. Kreu i maxhorancës u ndal te rrugët dhe premtoi zgjerimin e akseve deri në komunat më të thella dhe lidhjet e reja me fqinjët e Shqipërisë, si Greqia, Mali i Zi, Maqedonia dhe pa diskutim me Kosovën për të afruar distancat mes dy vendeve të një kombi. Berisha preku edhe çështjen e bujqësisë, ku premtoi mbështetjen e projekteve të fermerëve për shtimin e prodhimit. Në lidhje me sektorin e energjisë kryeministri veçoi se Shqipëria do të jap mijëra hektarë për të ndërtuar 400 hidrocentrale me koncension, ku do te punësohen dhjetëra e mijëra shqiptarë. Kurse për çështjen e pronave, kreu i qeverisë premtoi që do të bëjë ç'është e mundur deri në zgjidhjen finale të këtij problemi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›