PD çel fushatën, prezanton programin qeverisës

Partia Demokratike ka shpallur programin elektoral të saj për një mandat të dytë qeverisës. Kuvendi i PD-së, është zhvilluar në atmosferën e ngrohtë të krijuar jo vetëm nga skenografia dhe muzika, por edhe nga duartrokitjet e simpatizantëve dhe anëtarëve të djathtë. Të pranishëm në këtë Kuvend kanë qenë ministrat e kabinetit qeveritar, kandidatët për deputetë, të deleguarit nga rrethet, anëtarët dhe simpatizantët e thjeshtë.
Në zhvillimin e këtij kongresi ka dominuar fjalimi i kryeministrit Berisha, i cili është pritur në sallë me shumë entuziazëm dhe duartrokitje. Ka qenë pikërisht përkushtimi ndaj këtij fjalimi i kreut të qeverisë, që prej disa ditësh ai ka ndërprerë takimet e fushatës paraelektorale. Ndërsa deputetët demokratë, ministrat aktualë në fjalën e tyre përshëndetëse, janë ndaluar tek arritjet e qeverisjes Berisha dhe kanë shprehur të bindur fitoren në 28 qershor, duke premtuar për një mandat më të mirë qeverisës. Kuvendi është hapur nga kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli e cila duke u ndalur tek ndryshimet e Shqipërisë ka etiketuar kryeministrin Berisha si elementin kryesor të arritjeve të mëdha. Kurse, ministri i Financave Ridvan Bode i bëri një rezyme punës së qeverisë dhe ministrisë që ai drejton. Bode u shpreh i ekzaltuar për punën e bërë nga kjo qeveri dhe nga ministria e tij në këtë mandat që po mbaron, dhe e cilësoi këtë qeveri si qeverinë më të suksesshme të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Gjithashtu ai foli dhe për paketën financiare që qeveria dhe ministria kishin hartuar dhe realizuar gjatë këtij mandati që ata ishin në pushtet, duke përmendur uljen e taksave për bizneset si dhe dyfishimin e pagave dhe të pensioneve në vënd. Menjëherë pas tij, fjalën përshëndetëse e ka marrë ministri i Transporteve, Sokol Olldashi i cili u ndal në arritjet e kësaj qeverisje në infrastrukturën rrugore. Ai u shpreh se në këto katër vjet qeverisjeje, të djathtë u kanë dhënë shqiptarëve katër kilometra autostradë në ditë. Ndërsa duke u ndalur tek rruga tepër e përfolur Durrës-Kukës-Morinë, ai premtoi përfundimin shumë të afërt të saj, duke theksuar se kanë mbetur vetëm 16 metrat e fundit të tunelit. Pak minuta më pas atmosfera në sallë u ndez, me ardhjen e kryeministrit Sali Berisha, i cili u prit me duartrokitje të shumta. I ftuar nderi në Kongresin e PD-së ka qenë edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Popullore Europiane, i cili në fjalimin e tij përshëndetës vlerësoi punën e bërë nga qeveria Berisha dhe tha se së shpejti Shqipëria do të jetë pjesë e familjes së madhe Europiane. Ndër të tjera ai siguroi edhe mbështetjen që PPE i jep vendit tonë për rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ndërsa ministri i Jashtëm, Lulzim Basha premtoi lëvizje të lirë në vendet e Europës, në mandatin e dytë qeverisës, të cilën e vlerësoi si një ndër pikat kryesore. Në përfundim të fjalimit, duke iu drejtuar të pranishmëve në sallë, ai kërkoi udhëheqje të mëtejshme nga kryeministri Sali Berisha.