E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: PD fituese, vetëm të fortët fitojnë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode në fjalën e tij të mbajtur dje gjatë Kongresit të kësaj partie shprehu bindjen e një fitoreje të thellë në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke u ndalur tek kundërshtari politik e duke kritikuar ashpër qëndrimin e Ramës për moskandidim për deputet, ai theksoi se PD do të fitojë dhe do të vazhdojë në realizimin e ëndrrave dhe dëshirave të shqiptarëve. Ne do të fitojmë në të gjitha sfidat, dhe sfida jonë nuk është kundërshtari politik, që zgjodhi karrigen e lejeve të ndërtimti. Në vend të fushë-betejës janë ëndrrat tona, dëshirat e shqiptarëve. Kemi një ëndërr dhe nuk kthehemi më pas, luftojmë ballë për ballë për ta bërë atë realitet. Me ne koha punon për shqiptarët, pa ne çmimi është i lartë, theksoi Bode. Sipas tij, demokratët meritojnë një fitore të dytë dhe se shqiptarët e dëshirojnë këtë fitore për të vazhduar së bashku ndryshimin e Shqipërisë në çdo skaj të saj. Do të fitojmë përsëri se kemi një ëndërr, një dëshirë që na inspiron pa fund, Shqipërinë tonë të dashur, qytetarin tonë të lirë, jemi njerëzit e fortë dhe veç të fortët mbijetojnë. Jemi njerëz të fjalës së mbajtur, sollëm ndryshimin anë e mbanë vendit dhe veç të suksesshmit fitojnë, nënvizoi Bode. Gjatë fjalës së tij ministri i Financave, Ridvan Bode përmendi arritjet katërvjeçare të kësaj qeverisje, duke u ndalur më konkretisht në pasqyrimin e punës së bërë nga ministria që ai drejton. Nisëm udhëtimin tonë për tu rikthyer familjes sonë, kemi një ëndërr që Shqipërinë ta bëjmë një vend të zhvilluar dhe me mirëqenie për të gjithë. Mundësuam që mandatin tonë të parë të bëjmë Shqipërinë me lirinë fiskale më të madhe në botë, me taksa më të ulëta në botë, përgjysmuam taksat. Ulëm tatimin mbi kompanitë, ulëm taksën e punës, taksën doganore, përgjysmuam taksën e biznesit të vogël, e hoqëm 26 taksa e tarifa nacionale duke e bërë shumicën e tyre vetëm me një euro. Dyfishuam të ardhurat mbi buxhetin e shtetit pasi dominuam mbi kontrabandën e ish funksionarëve. Dyfishuam pagat e pensionet, dyfishuam fondet për arsimin, shëndetësinë e mbrojtjen që ishin prioriteti ynë i mandatit të parë, dyfishuam prodhimin e brendshëm për banor, veçoi ministri i Financave. Duke u rikthyer tek fitorja e demokratëve, Bode u shpreh i bindur se në zgjedhjet e qershorit kjo forcë politike do të dal fituese sepse përbëhet nga njerëz të fortë, ku veçon se vetëm të fortët mbijetojnë. Jemi njerëz të fjalës së mbajtur, sollëm ndryshimin anë e kënd vendit dhe veç të suksesshmit fitojnë. Kishim një ëndërr dhe e bëmë atë të prekshme për shqiptarët, ishte Shqipëria në NATO. Kemi një ëndërr të dhjetorit 1990, ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa, përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›