Basha: Ne në “Schengen” përpara vjeshtës së këtij viti

Qeveria shqiptare është e përgatitur për t’ju përgjigjur kërkesave të Komisionit Evropian, përsa i takon kritereve të liberalizimit të vizave dhe se tashmë janë plotësuar kushtet më vendimmarrëse të udhërrëfyesit
Shqiptarët do të lëvizin pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian që këtë vjeshtë. Këtë ka premtuar ministri i Brendshëm Lulzim Basha gjatë një interviste televizive, duke lënë si afat maksimal, për përfitimin nga vendimi i heqjes së vizave, muajt e parë të vjeshtës. Në rast të një vonese të mundshme nga ana e Komisionit Evropian, për shkak të pushimeve të verës, ministri Basha thotë se shqiptarët do lëvizin të lirë në hapësirën “Schengen” 3 muaj përpara Krishtlindjeve. “Unë shpresoj shumë që lëvizja e lirë për qytetarët shqiptarë do të ndodhë shumë përpara Krishtlindjeve. Shpresoj që ky realitet të jetë realitet 2-3 muaj më parë. Detyra jonë si qeveri është të plotësojmë të gjitha detyrimet tona dhe unë mendoj se këtë e kemi bërë. Tashmë u takon partnerëve tanë ndërkombëtarë që me procedurat e tyre transparente, objektive dhe duke ruajtur kredibilitetin e procesit sic e ruajtën dhe në rastin e 3 vendeve të tjera, të veprojnë pa vonesa. Natyrisht ka disa vonesa të cilat kondicionohen për shkak të pushimeve të verës, por që shpresojmë që këto vonesa nuk do ta shtyjnë procesin përtej vitit 2010. Vendimmarrja dhe implementimi i vendimmarrjes do të bëjë të mundur që shqiptarët të festojnë krishtlindjet dhe Vitin e Ri në hapësirën shengen si shqiptarë europiane”, tha ministri Basha. Sipas ministrit kushtet janë plotësuar dhe të gjitha vendet e Bashkimit Evropian mbështesin këtë proces. “Nuk ka asnjë vend i cili të ketë shprehur rezerva. Tek vendet mbështetëse do të rreshtoja dhe do të theksoja se ka një rëndësi shumë të veçantë kjo. Na kanë ndihmuar shumë dy vendet fqinje të BE, Italia dhe Greqia”, vuri në dukje Basha. Ministri flet edhe per kerkesen e kryeministrit që Shqipëria të vlerësohet idividiualisht. “Ajo që kërkojmë është një vlerësim objektiv, i ndershëm i arritjeve nga Shqipëria. Nuk duhet të keqkuptohet ajo që ka thënë kryeministri. Ne nuk jemi kundër faktit që vlerësimi duhet të bëhet për të dyja vendet, por vlerësimi për të dyja vendet është i veçantë”, deklaroi më tej ministri i Brendshëm. Basha shton gjithashtu se do të veprohet fort që të mos abuzohet me lëvizjen pa viza ndërsa do të nisë që nga sot edhe një fushatë ndërgjegjësimi.
...