E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtine, LDK vendos sot per ndryshimet ne qeveri

PRISHTINE- Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që brenda pak orësh të bëjë publik vendimin e saj për ndryshimet në qeverinë e Kosovës dhe emrat e rinj për dikasteret ministrore.

Vendimi pason marrëveshjen e dy partnerëve të koalicionit qeverisës për ndryshime në të paktën gjashtë ministri. Kryeministri, Hashim Thaçi, ka theksuar nevojën e ndryshimeve dhe sipas tij, “afirmim të energjive të reja”.

Kryesia e LDK-së është mbledhur sot paradite për të marrë vendimin rreth rikonfigurimit të ministrave të vet brenda koalicionit qeverisës.

Zyrtarë të partisë i thanë BBC-së se vendimi i LDK-së pritet të bëhet i njohur gjatë ditës, megjithëse nuk publikuan asnjë emër, as të ministrave që do të largohen dhe as të emrave të rinj që do të vijnë.

Mediat kosovare shkruajnë sot se drejtuesit e LDK-së zyrtarisht i kanë njoftuar dje tre ministra se janë para shkarkimeve nga postet qeveritare. Ato janë Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, dhe ministri i Kulturës, Valton Beqiri.

Ndërsa emrat e përfolur për tu ulur në postet e këtyre ministrave janë Haki Demolli për Drejtësi, Bujar Bukoshi për Shëndetësi dhe Lutfi Haziri për Kulturë.

Mësohet se LDK-ja është pajtuar që zëvendësojë tre nga ministrat e saj, aq sa do të ndryshojë edhe partneri më i madh në qeveri, PDK-ja.

Kjo e fundit ka bërë të ditur, përmes kryeministrit dhe njëherit kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, se ndryshimet janë të domosdoshme dhe ato do të bëhen në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Ndryshimet në qeveri, që u quajtën edhe si riformatim, u paralajëmruan në periudhën e përplasjes mes dy partnerëve në koalicion, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale në nëntor të vitit të kaluar.

Opozita në Kosovë i cilësoi kërkesat për ndryshime si përpjekje të udhëheqësve aktual për të vazhduar me qeverisjen, të cilën ajo e cilësoi, si të dështuar dhe perserit kerkesen për zgjedhje të parakohshme.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›