Vonesat që po shfaqen për paqëtimin e shpirtrave të trazuar nga videoja raciste
Provokacioni antishqiptar i njësisë të marinsave grekë gjatë paradës ushtarake në Athinë, nuk do të ishte aq i rrezikshëm sikur të mos kishte në themel mentalitete të rrënjosura dhe të kultivuara prej mëse dy shekujsh, të cilat nxjerrin krye herë pas here në vartësi të situatave kalimtare historike, sociale dhe politike. çrrënjosja e tyre do të kërkojë kohë, vullnet dhe mirëkuptim të ndërsjelltë.
Në përgjithësi, shqiptarët dhe grekët janë shquar për marrëdhënie fqinjësore të lavdërueshme, pavarësisht të çarave që janë krijuar ndonjëherë, falë nxitjes së propagandave të qarqeve nacionaliste të dyanshme. Nuk është e nevojshme të qëmtoja shembuj nga historia, çka shumëkush do të ma merrte për propagandë. Dy dhjetëvjeçarët e fundit, janë, si të thuash, pasqyra më e mirë e së kaluarës dhe e së sotshmes. është kjo arsyeja që nuk duhet lejuar cenimi sadopak i së ardhmes.
Sikur ndonjë gjeneral grek dhe një grusht ushtarësh e oficerësh që ai komandon, ta kishin aq peng përhapjen e emigracionit shqiptar në vendin e tyre që nga ishulli i Kretës, në Malet e Pindit, që nga Egjeu Lindor, në brigjet e Jonit, do të ishte e keqja më e vogël. Them kështu, sepse fobia ndaj emigracionit të huaj është një dukuri e njohur jo vetëm në Greqi. Organizata që nuk i duan emigrantët, që i quajnë ata burim i të këqijave në vendin e tyre, ka edhe në vende të tjera të zhvilluara. Ato organizojnë manifestime, ndonjëherë jo edhe aq paqësore, për të frenuar kryesisht emigracionin e paligjshëm, kurse ujërat i turbullojnë ekstremistët qoftë të së djathtës, qoftë të së majtës, duke shkaktuar trazira. Përkundrazi, përzierja e ushtarakëve në turbullira kësisoj nuk ka precedentë. Ajo është dukuri e rëndomtë e vendeve të prapambetura, të cilat enden mes zhvillimit ekonomik e modernizimit, nga njëra anë, dhe urrejtjes ndëretnike e ndërfisnore, nga ana tjetër.
Shteti grek, si pjesë e BE-së, e kreu detyrimin e vet diplomatik duke kërkuar falje. Megjithatë, a do të mjaftonte vetëm kaq? A do të mjaftonte shkarkimi i një komandanti, qoftë ky edhe gjeneral, që t’u jepte fund njëherë e përgjithmonë këtyre historive të denja për mesjetën? Përgjigjen na e dha zëvendësministri grek i mbrojtjes, zoti Spiro Vujas, i cili e vuri gishtin mbi plagë kur deklaroi se persona të tillë nuk kanë vend në trupën e marinës, që “...po ndryshohet dhe organizohet në një mënyrë të ndryshme nga këto sjellje dhe mentalitete”.
Mirëpo, nëse do të mbajmë parasysh se mentalitetet, që të ndryshohen, duan kohë tepër të gjatë, vetvetiu del se organet përkatëse greke janë ca të vonuara në këtë rast. Shqipëria, tashmë, është anëtare e NATO-s, çka parakupton që roja e kufirit bregdetar të Greqisë dhe ajo e kufirit bregdetar të Shqipërisë kanë detyra luftarake të përbashkëta për mbrojtjen e kufijve të Aleancës. çfarë do të ndodhte nëse njësia ushtarake që këndoi në kor këngë luftënxitëse kundër shqiptarëve, do të gjendej përkrah një njësie ushtarake të shtetit fqinj? çfarë do të ndodhte sikur në Afganistan, ta zëmë, ku NATO-ja është e angazhuar në luftë kundër terrorizmit, dy njësi ushtarake greke e shqiptare rasti t’i vinte përkrah njëra-tjetrës? Përgjigjen le t’ia lëmë kohës, duke shpresuar që pësimi, kësaj here, të bëhet mësim
Diçka tjetër që të bie në sy këto ditë, pas ngjarjes në fjalë, është heshtja e Hirësisë së Tij, Kryepeshkopit Anastas. I marrim me mend detyrat e Hirësisë së Tij në aspektin fetar. E kuptojmë edhe çfarë do me thënë prag pashkësh, çka kërkon energji të mëdha përgatitjesh që nga E Premtja e Zezë, deri në çastin e Ringjalljes. Mirëpo shpirtrat e ortodoksëve shqiptarë, për fat të keq, u trazuan tamam në këtë periudhë përgatitjesh për festën e Pashkëve. Nëse atyre pak ekstremistëve që trashëgojnë ende mentalitete të dështuara prindërish fanatikë, u është errësuar mendja deri atje sa të harrojnë se në Shqipëri jetojnë edhe vëllezër të të njëjtit religjion, Hirësia e Tij duhet ta dijë mirëfilli se ortodoksizëm nuk do të thotë helenizëm, as vorioepirotizëm. Grigja e ortodoksëve shqiptarë, plagosur në ndjenjat e veta atdhetare, do ta dëshironte, të paktën, një fjalë të ngrohtë paqeje nga goja e bariut shpirtëror. A do të ndihej i qetë bariu kur grigjën ia kërcënon kopeja e ujqve të egërsuar? Edhe shpirtrat e Papa Kristo Negovanit, të Koto Hoxhit, të Fan Nolit dhe të dëshmorëve të tjerë për fe e atdhe, pasardhës i të cilëve është në hierarkinë fetare Kryepeshkopi ynë fort i lumtur, do të ndiheshin më të qetë aty ku u prehen eshtrat, nëse Kisha Autoqefale e Shqipërisë do të ngrihej në lartësinë që meriton, duke thënë fjalën e saj paqësuese.
...