E Diel, 1 Nëntor 2026

Tunelet e “Luftës Futuriste”

Mes maleve të Skraparit, diku afër çorovodës, aty ku rruga merr për Tomorricë, kishte disa shtëpi-vila, që vjetëroheshin në pritje të luftës, si blloqet e pallateve të zbrazëta të Kim Ir Senit, në Phenian, në pritje të komunizmit. Atyre nuk u ishte parathënë fati nga Samuel Beket, “Në pritje të Godosë”, por u ndërtuan me arkitekturë luksi për kohën, për të qënë gati “Ditën e Gjëmës”. Ajo, Lufta kundër të Gjithëve, ishte dhe supa e përditshme në sofrën e vafër të shqiptarëve. Frika nga lufta, nga një luftë ndryshe që, siç thoshte Diktatori, mund të imponohej, nuk mbërrinte kurrë. Por, nëse do të ndodhte, do të fitohej, edhe kundër të gjitha fuqive bashkë. Lufta Futuriste ishte politikë ditore, për të mbajtur zap popullin, sipas mendësisë, zgjidh e merr, “Do varfëri apo luftë?”.

Udhëheqja, për popullin e luftës që do të vinte, mbushi me bunkerë fushat, kodrat, malet, rërën e detit, bile edhe anët e Shetitores “Dëshmorët e Kombit”. Madje i rrasi edhe brenda MAPO-ve (magazina popullore), si në Lushnjë. Për vete, në Skrapar, kishte shpuar tunele dhe, afër hyrjes së tyre, ngriti bllok vilash, për të qenë e lehtë zhvendosja tek njëri-tjetri. Tunelet e Skraparit, dhe jo vetëm ato, edhe të tjerë rrëzë malit të Dajtit, qenë me hapësira të mëdha, me mure të trashë betoni, të markave të çimentove të qëndrueshmërisë së lartë, për të përballuar edhe goditje të mundshme atomike. Strategjinë e tuneleve të Skraparit, diktatura e lakonte herë pas herë si meritë vendore, sepse, siç thoshte, Skrapari ka qenë krahina e parë e çliruar në gjithë Europën, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shpenzimet për ndërtimin e tuneleve kanë qenë kolosale, po të kihet parasyshë fuqia e dobët ekonomike e Shqipërisë së vogël e të varfër. Aty ishte strehuar edhe Thesari i Shtetit. Sipas mentalitetit komunist, që kishte mundur të përpunonte edhe mendimin e popullit, dy gjëra kishte të vlefshme Shqipëria: Enverin dhe Arin. Malet e Skraparit ishin përzgjedhur për t’i strehuar e mbrojtur të dy thesaret. Kurse për populli vlenin bunkerët - varfëri, luftë dhe varr.

Tuneli tjetër ishte në kryeqytet. Ai niste te vila e diktatorit, për ta shpëtuar e zhvendosur në një vendstrehim tjetër, më të sigurtë, jashtë qytetit dhe zonës së Bllokut. Inxhinieri i njohur i fortifikimeve ushtarake shqiptare, Josif Zegali, që regjisori Kujtim çashku, në filmin e tij, e ka quajtur “Kolonel Bunker”, interpretuar me mjeshtëri nga aktori Agim Qirjaqi, qe shprehur me guxim të pabesueshëm, deri te vet Diktatori, kundër bukerizimit të vendit, i cili, për atë blasfemi politike u dënua egërsisht dy herë me burgim, edhe pse ai, më herët, pati drejtuar punimet e tunelit të shpëtimit në zonën e Bllokut.

Tunel kishte edhe në Krrabë. Ai, gjeografikisht, ishte vendi më i afërt me udhëheqjen. Gjykohej se, ato tunele, ishin “ndihma e shpejtë” për “Thesarin e Parë”, për ta mbrojtur nga sulmi atomik i pritshëm. Më vonë, pas ndryshimeve demokratike, aty u transferua “Thesari i Dytë”, ose Thesari i Shtetit. Gjatë rebelimit komunisat, të vitit 1997, tuneli kundëratomik nuk përballoi dot as sulmin me kallashnikov të banditëve. Ai u vodh në kohën e qeverisje së socialistëve dhe, për hajni u akuzuan disa fshatarë të mjerë, që i detyruan të aktronin para kamerave, duke rrëmuar në dhe të shkrifët, si të hapnin gropa për mbjelljen e patateve: Shqipëria, dikur i vetmi vend atesit në botë, u bë i vetmi vend në botë ku hajdutëria zyrtare e la shtetin pa simbolin e pasurisë së vet - Thesarin!

Tunelet dhe bukerët nuk ishin siguria e Shqipërisë, ato qenë varfëria e saj. Programi i Televizionit Shqiptar, me titullin “Focus”, duke përgatitur emisione mbi atë temë tabu, i pati tronditur teleshikuesit me të panjohurat që ndriçoi, bëri të ditur idiotësinë paranojake të shpenzimeve të pallogaritshme. Fanatikët e goditën ashpër Televizionin dhe emisionin. Ata akuzuan:

“Televizioni ka nxjerre në ekran sekrete të mëdha!

Kjo përbën tradhëti të lartë.

Duhet dhënë dënim me gjyqësi ose vetgjyqësi!”

Emrin e gazetarit e përfolën me një formulim rrugaçëror.

A me të vërtetë Shqipëria i kishte mbrojtëse e sekret ato tunele?!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›