Një agresion ndaj Papës dhe demokracisë
I nderuar Drejtor, çështja e priftërinjve pedofilë dhe homoseksualë që shpërtheu kohët e fundit në Gjermani ka për shënjestër Papën. Do të ishte, megjithatë, një gabim i rëndë, nëse do mendonim se kjo fushatë nuk do të prodhojë goditje, pasi atëhere, ky investim mediatik do të dukej i pamatur dhe paksa i sforcuar. Dhe do të ishte një gabim serioz në qoftë se do të mendonim se kjo çështje do të mbyllet siç janë mbyllur të gjitha çeshtjet, në raste të ngjashme.
Por, kujdes, nuk është kështu. Kjo është një luftë në vazhdim e sipër. Jo kundër personit të Papës, për shkak se, po të ishte thjesht ashtu, kjo luftë do të ishte e paefektshme. Benedikti XVI është i pathyeshëm me imazhin e vet, të qetë e të pastër dhe me qëndrueshmërinë e palëkundshme në doktrinën katolike romake. Mjafton vetëm buzëqeshja e tij e butë për të mundur një ushtri të tërë kundërshtarësh.
Jo, lufta është mes sekularizmit laik dhe Krishtërimit. Laikët e dinë mirë se nëse një pikë baltë prek veladonin e bardhë, Kisha do të bëhet e papastër, dhe nëse ndotet Kisha, atëherë do të bëhej pis krejt besimi kristian. Dhe bash për këtë synim, laikët e shoqërojnë fushatën e tyre me pyetje dyshimi si “Kush do t’i çojë fëmijët tanë në kishë?” Apo "kush prej nesh do t’i dërgojë djemtë tanë në një shkollë katolike?” Apo edhe “kush do t’i trajtonte fëmijët e tij në një spital apo klinikë katolike?”. Disa ditë më parë një sekularist pa dashje e tregoi qëllimin. Shkroi në gazetë se: “Përqindja e shfaqjes së fenomenit të “abuzimit seksual” të fëmijëve nga priftërinjtë minon legjitimitetin e Kishës Katolike si garantuese e edukimit të fëmijëve”.
S’është fare i rëndësishëm fakti se ky gjykim i prerë është pa prova, pasi gjithçka fshihet me kujdes nëpër “përqindjen e shfaqjes së fenomenit”: një përqind e priftërinjve pedofilë? dhjetë përqind? Të gjithë? Nuk merret parasysh fakti se përgjithësimi nuk është logjikshëm: mjafton vetëm të zëvendësosh “priftërinjtë” me “mësues”, “politikanë” apo “gazetarë” për të "minuar legjitimitetin" e shkollave publike, të parlamentit apo të shtypit.
Siç duket ajo që ka rëndësi është “insinuata”, edhe pse është vendosur në kurrizin e një argumentimi të trashë e banal: thuhet se priftërinjtë janë pedofilët, në mënyrë që Kisha të mos ketë më autoritet moral, e prej andej të mbërrihet tek përfundimi se edukimi katolik është e rrezikshëm. Po kështu me të njëjtën logjikë perverse arrihet tek deduksioni se “Krishtërimi është një mashtrim dhe një rrezik”. Kjo luftë e laicizmit kundër krishterimit është e egër. Na duhet të sjellim kujtimin e nazizmit dhe të komunizmit për të gjetur një të ngjashme. Mjetet ndryshojnë, por qëllimi mbetet njësoj; sot si dje, ajo që dëshirohet është prishja e fesë. Atëherë Europa e pagoi çmimin e kësaj furie shkatërruese nga xhepi i lirisë së vet. është e pabesueshme që sidomos Gjermania, meqë vazhdimisht godet gjoksin për të kujtuar çmimin e shkaktuar të gjithë Europës, sot - që është kthyer demokratike - harron dhe nuk kupton se demokracia do të humbasë nëse të krishterët do të linçoheshin përsëri. Shkatërrimi i fesë do shkaktojë më pas shkatërrimin e arsyes.
Nuk do të rezultojë triumfi i arsyes laike, por veç i një "barbarie tjetër”.
Në nivel etik, do triumfojë barbarizmi i atyre që vrasin një embrion sepse jeta e tij do t’i shkaktonte dëm "shëndetit mendor" të nënës, do triumfojë barbarizmi i atyre që thonë se një embrion është vetëm një "grumbull qelizash” të mira për t’u eksperimentuar, do triumfojë barbarizmi i atij që vet plakun e vjetër, sepse s’ka më një familje që të kujdeset për të, apo afron fundin një fëmije veç se është i pandërgjegjshëm dhe me një patologji të pashërueshme. Ky barbarizëm ushqehet nga Ata që mendojnë se besimi është si bisht, një organ që nuk merr pjesë në evolucion, sepse "njeriu nuk ka nevojë për bisht sepse është i drejtë të qëndrojë vetë. Dhe kështu me radhë.
Për të konsideruar aspektin politik të luftës së laikëve ndaj krishterimit, do thoshim se barbaria do të jetë shkatërrimi i Evropës. Do të jetë shkatërrim, sepse, pasi të bjerë Krishterimi, do të mbetet veç multi-kulturalizmi, i cili pohon se çdo grup ka të drejtën e pasjes së një kulture si dhe relativizmi, i cili pohon se çdo kulturë është po aq e mirë sa secila syresh. Do të mbetej pacifizmi, i cili mohon se e keqja ekziston.
Kjo luftë nuk do të ishte kaq e rrezikshme për Krishtërimin, në qoftë se të krishterët do ta kuptonin. Por në vend të kësaj, “keqkuptimi” po i përfshin shumë prej tyre. Janë ata teologë të frustruar nga epërsia intelektuale e Benediktit XVI, ata peshkopë të pasigurt që besojnë se çdo kompromis me modernitetin është mënyra më e mirë për përditësuar mesazhin e krishterë, ata kardinalë në krizë besimi që kanë filluar të bëjnë me dije se beqaria e priftërinjve nuk është një dogmë dhe se ndoshta ne duhet ta mendojmë sërish atë; ata intelektualë katolikë që mendojnë se ka një çështje të gruas brenda Kishës dhe një problem të pazgjidhur midis krishterimit dhe seksit. Po përballemi me konferenca peshkopësh që shpesh dalin jashtë rendit të ditës dhe avokatojnë për një politikë të kufijve të hapur, por nuk kanë
guximin për të denoncuar sulmet që po vuajnë të krishterët, si dhe poshtërimin që ata përditë po detyrohen të provojnë. Po na shfaqen kancelarë që vijnë nga “Lindja”, vendosin një ministër të Jashtëm homoseksual dhe pastaj sulmojnë Papën në çdo temë të etikës; apo akoma, kancelarë të tjerë të lindur në “Perëndim”, të cilët mendojnë se “Perëndimi” duhet të jetë laik, pra anti- kristian.
Por lufta e laikëve do të vazhdojë, qoftë edhe vetëm për shkak se kanë përballë një kundërshtar si Papa Benedikti XVI, i cili buzëqesh, por nuk tkurret një centimetër nga qendrimi kristian.
*Filozof, Politikan ish- Presidenti i Senatit Italian
(Corriere della Sera )
...