E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria ankohet përsëri: Gjykata na sabotoi për Fazliç

"Lufta e ftohtë" midis prokurorisë dhe gjykatës për dosjet "politike" vazhdon edhe me çështjen "Fazliç". Prokuroria akuzon gjykatën se ka "menduar" që të pengojë prokurorinë në hetimet për shtetasin serbo-boshnjak, Damir Fazliç. Burime zyrtare nga akuza qendrore thanë se Gjykata e Tiranës ka vonuar qëllimisht zbardhjen e vendimit që zhbllokoi asetet e pronat e tij në Shqipëri. "Vendimi i Gjykatës së Tiranës u dha në datën 31 dhjetor 2008. Sipas procedurës, prokuroria mund të apelojë vendimin brenda një afati 10-ditor. Në këtë hark kohor vendimi faktikisht nuk u zbardh. "U detyruam që apelimin ta realizonim vetëm me dispozitë ligjore dhe jo sipas vendimit. Pas apelimit tonë, gjykata e zbardhi vendimin", sqarojnë burimet e akuzës. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës saktëson se është në pritje të përgjigjeve të letër-porosisë që ka nisur në pesë shtete. Hetuesit e çështjes konfirmuan se kanë dërguar në Bosnjë dhe Angli fletëthirrje për Damir Fazliç, ndërsa kanë marrë përgjigje se Fazliç do të vijë në Tiranë në rastin më të parë. Thirrja është dërguar së bashku me pesë letër-porositë në Qipro, Kroaci, Bosnjë, Zvicër dhe Angli, për të zbardhur pastrimin e parave nga shtetasi serbo-boshnjak, në Shqipëri. Burime nga Task-Forca kundër krimit ekonomiko-financiar thanë se në këto shtete, 34-vjeçari ka krijuar kompani pa kapital që të kryente pastrim parash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›