E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria tërheq dy projektligje antikomuniste

Qeveria ka kërkuar tërheqjen e dy projektligjeve të depozituara në Kuvend, të cilat kanë të bëjnë me krimet kundër komunizmit. Projektligji i parë është për "Krijimin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe të Pasojave të Komunizmit në Shqipëri" dhe projektligji i dytë për "Simbolet e Përkujtimit të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri". Këto dy projektligje kanë dalë nga qeveria me datë 14.1.2009 dhe janë depozituar në Kuvend më datë 22.1.2009, duke mbajtur përkatësisht numrat 266 dhe 267. Deri këtu gjithçka duket në rregull dhe pritej që javën që vjen Konferenca e Kryetarëve t‘i fuste këto projektligje në kalendarin e punimeve trejavore. Por burime jozyrtare nga Kuvendi bëjnë të ditur se këto projektligje nuk do të kalojnë për diskutim në komisionet parlamentare dhe më pas në seancë për votim, pasi qeveria ka kërkuar tërheqjen e tyre. Burime zyrtare nga qeveria nuk e pranojnë drejtpërsëdrejti një gjë të tillë, por theksojnë se pak ditë më parë është diskutuar tërheqja e tyre, por ky veprim nuk është kryer zyrtarisht. Arsyet e kërkesës për tërheqjen e këtyre dy projektligjeve nuk bëhen zyrtare, si Kuvendi ashtu edhe Kryeministria janë munduar ta hedhin topin te fusha e njëra-tjetrës me argumentin se nuk kanë kryer asnjë veprim të parregullt. Prej më se 18 vjetësh shtresa e të përndjekurve politikë është kthyer në një "top pingpongu", i cili hidhet nga njëra qeveri te tjetra. duke mos marrë asnjë shpërblim moral për krimet e komunizmit. Për këtë shtresë e majta ishte një zhgënjim, pasi asnjëherë gjatë qeverisjes së saj nuk premtoi se do të dëmshpërblente apo vlerësonte moralisht deri në piedestal këtë shtresë. Krejt e kundërta ndodhi me demokratët, të cilët kanë përdoruar vazhdimisht dhe po përdorin shtresën e të përndjekurve politikë si moto politike duke iu premtuar dëmshpërblim dhe vlerësim moral. Para se të vinte në pushtet, Berisha premtoi se do të dëmshpërblente deri më një shtresën e ish të përndjekurve politikë dhe menjëherë urdhëroi administratën e tij të hartonin ndryshimet e duhura në ligjin për ish të përndjekurit dhe të dënuarit politikë. Një ligj i cili u hartua nga qeveria, u depozitua në Kuvend, por nga viti në vit u tërhoq zvarrë nga Kuvendi duke mos pasur fatin të arrinte asnjëherë deri te kurorëzimi i tij, miratimi dhe më pas futja në fuqi.

Takimi me Presidentin

Të përndjekurit dhe të dënuarit politikë megjithëse kanë kaluar 18 vjet nuk rreshtin së protestuari dhe së trokituri në dyert më të larta të institucioneve të shtetit për të kërkuar të drejtat e tyre. Për të kërkuar dëmshpërblimin për vuajtjet e tyre si monetar ashtu edhe moral. Sot në ambientet e Pallatit të Brigadave të përndjekurit politikë do të zhvillojnë një takim me Presidentin e Republikës. Takimi është kërkuar nga shoqatat e të përndjekurve dhe kreu i shtetit e ka pranuar atë. Ky është takimi i parë dhe dalja e parë publike që kreu i shtetit bën me këtë shtresë pas hyrjes në fuqi të ligjit për ‘dosjet‘, ligj i cili kaloi pa firmën e Presidentit të Republikës. Ligji për "dosjet" ka shkaktuar reagime të shumta politike dhe nga vetë shtresa e të përndjekurve politikë. Opozita është shprehur kundër tij dhe e ka ankimuar atë në Gjykatën Kushtetuese, e cila brenda pak ditëve duhet të japë vendimin e saj nëse ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën siç pretendon opozita apo jo.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›