Basha: Në vjeshtë, studentët me kartën e privilegjeve
Duke nisur nga viti i ardhshëm akademik, të 80 mijë studentët e Tiranës do të kenë kartën e studentit. Kështu i ka siguruar studentët e kryeqytetit kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim që pati dje në një universitet privat. Kjo kartë do t’u mundësojë studentëve disa lehtësira, si në transportin publik ashtu edhe në frekuentimin e institucioneve kulturore, por edhe në shërbime të tjera publike dhe private që ofrohen në Tiranë. Kandidati për kryebashkiak u shpreh para studentëve: “Vizioni im për Tiranën, që nuk është fantazi por është fare pranë realizimit, është Tirana e 100 mijë studentëve. Studentët kanë një sistem specifik të angazhimit të tyre në jetë me sfidat e përditshme, dhe në këtë partneritet të qytetit me studentin, dhe të studentit me qytetin, unë propozoj së pari: duke filluar nga viti i ardhshëm akademik, i cili fillon me sezonin e vjeshtës së këtij viti, bërjen realitet të Kartës Studentore për të gjithë studentët e Universiteteve të Tiranës”, tha Basha. I pranishëm në ceremoninë e hapjes së fushatës së Partisë Republikane në Tiranë, kandidati Basha tha se “ju falënderoj shumë për ftesën, jam i nderuar që ndodhem mes jush, mes republikanëve. Ju falënderoj për mbështetjen që më jepni në këtë garë. Ne jemi bashkuar si qytetarë të Tiranës, e cila ka nevojë për ne. Ajo që na bashkon sot është Tirana, dhe sot flasim për shqetësime konkrete dhe jo për politikë, flasim për rrugët e pashtruara, për ajrin e ndotur, për taksat e larta, për hapësirat e zëna. Të gjitha këto janë probleme që shtrohen për zgjidhje”, tha Basha.