Topalli në Fushë Krujë, për të prezantuar kandidatin e djathtë
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e shoqëruar nga deputetët Ylli Lama dhe Shkëlqim Babasi, kanë prezantuar kandidatin e mazhorancës për Bashkinë e Fushë Krujës, Bilal Stafuka. Kandidati i mazhoracës Bilal Stafuka, u premtoi banorëve të Fushë Krujës ndërtimin e unazës së qytetit dhe disiplinim e lumit Zezë, uljen e taksave dhe mirëadministrimin e tyre, si dhe më shumë gjelbërim për qytetin. Ndërsa kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, në fjalën e saj u shpreh; “Stafuka ka mbështetjen e Kryeministrit Sali Berisha, në projektet për qytetin, që ashtu si më parë, ku Bashkisë së Fushë Krujës i ka dhënë 10 milionë dollarë investime, do të investoj sërisht për përmirësimin e kushteve më jetike që ka nevojë Fushë Kruja”. Sipas saj, është miratuar investimi për disiplinimin e lumit Zezë, që përmbyti Fushë Krujën, duke akorduar 1 milion dollarë, ndërsa në fazën e dytë do të jepen edhe pesë milionë të tjera. Sipas Topallit, Fushë Kruja ka hyrë në histori, me pritjen e Xhorxh Bushit, një pritje fantastike, ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, në ditën më të lumtur të jetës tij, deklaroi se fushëkrujasit i kanë vjedhur orën Bushit, prandaj ju keni mundësinë për ta braktisur atë, pasi kandidati i mazhoracës Bilal Stafuka, është gati për mbajtjen e premtimeve.