KQZ procedim penal ndaj kandidatit PKD
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të kërkojë procedim penal, për kandidatin e Partisë Kristian Demokrate, në komunën Kelmend të Qarkut të Shkodrës, Gjeto Getaj. Arsyeja që ka detyruar KQZ-në të dalë në këtë vendim ka qenë konstatimi i veprës penale të falsifikimit të dokumenteve të kandidimit. Sipas përfaqësuesit të PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, Gjeto Getaj ka paraqitur një sërë dokumentesh, me anë të të cilave ka falsifikuar të vërtetën, duke u përpjekur që të sigurojë miratimin nga KZAZ-ja 44 në Shkodër, që ta regjistrojë si kandidat. Sipas dokumentit të pretenduar si të falsifikuar, Gjeto Getaj, bëhej e ditur se Partia Kristian Demokrate kishte mundur që në zgjedhjet e vitit 2007 të siguronte një mandat në këshillin komunal të Komunës Kelmend, ndërkohë që kjo forcë politike atëherë nuk ka ekzistuar. Për këtë arsye, ai ka kërkuar që padia penale të bëhet edhe ndaj anëtarëve të kësaj KZAZ-je, të cilët sipas tij kanë qenë në dijeni të këtij falsifikimi. Për rrjedhojë, KQZ duke marrë të mirëqenë këtë falsifikim, ka vendosur të bëj të pavlefshëm vendimin e KZAZ-së 44 dhe të kërkojë procedim penal për kandidatin Gjeto Getaj.