Katër shtete pakt për ndërtimin e “Koridorit 8”
Ndërtimi i Korridorit të 8-të duhet të merret seriozisht, pavarësisht kostos së tij dhe për këtë Kryeministri Sali Berisha garantoi se Qeveria shqiptare do të përmbushë gjitha detyrimet që i lindin nga ky projekt. I pranishëm në konferencën “Korridori 8-të, një urë mes Adriatikut dhe Detit të Zi”, që u zhvillua dje në Tiranë, kreu i ekzekutivit ka shprehur para ministrave të Transporteve të katër vendeve që prek projekti, Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë rëndësinë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes palëve. Përmes këtij memorandumi, ato shprehin vullnetin për të përshpejtuar realizimin e projekteve përgjatë Korridorit 8-të. “Garantoj se Qeveria ime mbetet e vendosur të përmbushë që të gjitha detyrimet e saj, që korridori 8-të në territorin e këtij vendi të jetë një përparësi më madhore dhe një realitet i shpejtë”, u shpreh dje Kryeministri. Ai renditi një sërë nismash të marra nga Qeveria, të cilat përfshijnë investime të mëdha në infrastrukturë, çka janë tregues të përparësisë që i jep Qeveria projektit. “Shqipëria do të fillojë ndërtimin e korridorit brenda 2-3 muajve që vijnë. Do të ndërtojë segmentin Tiranë–Elbasan dhe nga ana tjetër do ndërtojmë një segment tjetër të këtij korridori jashtëzakonisht të rëndësishëm, Tiranë-Bllatë. Në këtë drejtim, distanca me Tiranën shkurtohet 100 kilometra”, detajoi Kryeministri. Më tej ai u ndal në mbështetjen që Qeveria italiane i ka dhënë këtij projekti madhor. “Unë dua të falënderoj përzemërsish Qeverinë italiane për interesin e madh që tregon për korridorin. Italia ka zë të fuqishëm në Bruksel, ku vendoset për fatet e korridoreve”, tha Berisha. Ndërkohë që edhe ministri italian i Transporteve, Altero Matteoli, gjatë fjalës së tij në konferencë u ndal në rëndësinë që ka Korridori i 8-të dhe serioziteti me të cilin duhet trajtuar. “Nëse mbahet parasysh shtrirja deri në Napoli, gjatësia e këtij korridori i kapërcen 1.800 km, ndërsa shtrirja e rrugëve është rreth 960 km. Për të kompletuar një korridor pluri-modal kaq të rëndësishëm e mbi të cilin ekzistojnë impiante portuale si Taranto, Durrësi, Varna, është i nevojshëm të aktivizohet më në fund ndërmjet vendeve të përfshira një punë kapilare, nëse do të duam që aksi aktual hekurudhor dhe rrugor të realizohet me të vërtetë”, u shpreh ministri Matteoli. Ai theksoi se me memorandumin e nënshkruar me kolegët e Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, mbyllet përfundimisht paraqitja origjinale e 10 korridoreve pan-evropiane, për shtrirjen e rrjeteve transevropiane të transportit drejt vendeve të Evropës Lindore dhe të Ballkanit. Edhe ministrat e Transportit të Maqedonisë dhe Bullgarisë janë shprehur pozitivisht për memorandumin. “Ne e shikojmë ndërtimin e Korridorit VIII jo vetëm si lidhje e shkurtër midis detit Adriatik dhe Detit të Zi, por edhe si një faktor të rëndësishëm për rritjen e balancuar të rrjetit të transportit në Ballkan”, u shpreh ministri bullgar, ndërsa ai maqedonas e ka vlerësuar këtë projekt për rëndësinë ekonomike. “Qeveria e Maqedonisë i konsideron investimet në transport si mjaft të rëndësishme, pasi ato ofrojnë një mundësi për të zgjidhur problemet aktuale ekonomike”, tha Janakieski. Konferenca është mbyllur me nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit nga ana e palëve pjesëmarrëse.