E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëmundjet e rënda, Vasili firmos marrëveshjen me spitalin e Vatikanit



Për herë të parë Ministria e Shëndetësisë ka arritur të nënshkruajë një marrëveshje me spitalin universitar në Vatikan “Agostino Gemelli”. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i shoqëruar nga zëvendësministri Bardh Spahia, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare dje në Vatikan. Njëkohësisht është nënshkruar marrëveshja me qendrën e Kërkimit dhe Zhvillimit Profesional “Gjon Pali 2” dhe me Universitetin Katolik “Zemra e Shenjtë”. Marrëveshja konsiston në trajtim pacientësh për patologji të pakurueshme në Shqipëri. Trajnim personeli mjekësor dhe infermierik. Bursa studimi për mjekë, infermierë dhe menaxherë shëndetësorë dhe asistencë të mjekëve italianë në Shqipëri. Gjatë vizitës në Vatikan, delegacioni shqiptar ka zhvilluar takime edhe presidentin e spitalit “Bambino Jezu”, profesor Profiti. Veç Vatikanit Shqipëria ka edhe një sërë marrëveshjesh në sektorin e shëndetësisë me Italinë e disa shtete të tjera. Kryesisht ato përfshijnë patologji të rënda, që nuk mund të kurohen në vendin tonë. Ndërkohë që kërkesat e pacientëve janë gjithnjë në rritje, procedurat për dërgimin e pacientëve jashtë, në bazë të marrëveshjeve dhe bashkëpunimit, janë të njëjta dhe fikse. Që një i sëmurë të dërgohet jashtë, duhet të marrë epikrizën dhe miratimin e komisionit në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”. Më pas, këto dokumente të përkthyera kalojnë përmes zyrës së marrëdhënieve me jashtë, në një proces komunikimi, mes ambasadave, ministrive dhe drejtorive spitalore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›