E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Nuk kërkuam largimin e OSBE

Ministria e Jashtme i cilëson si të pavërteta dhe e cilëson keqinformim, lajmin e përhapur se diplomacia shqiptare ka kërkuar largimin, apo ndryshimin e mandatit të prezencës së OSBE-së në Shqipëri. 

BLEDAR HOTI

 Në një deklaratë zyrtare MPJ bën të ditur se: “Shpreh keqardhjen e saj në lidhje me keqinformimin, që po i bëhet këto ditë opinionit publik, në lidhje me mandatin e prezencës së OSBE-së në Shqipëri”. “Duke i konsideruar abuzive dhe të pavërteta pretendimet e ngritura në disa mjete të informimit mbi këtë çështje, MPJ deklaron se nuk është kërkuar asnjëherë kufizimi i prezencës së OSBE-së apo i rolit të saj, në lidhje me zgjedhjet. E kundërta është e vërtetë. Ministria ka kërkuar përqendrimin e rolit të OSBE-së në lidhje me sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe reformën zgjedhore”, thuhet në një njoftimin për shtyp. MPJ, sipas deklaratës, prej më shumë se 3 vitesh, është angazhuar në një dialog të hapur me OSBE-në, të trashëguar nga qeverisja e mëparshme, në qendër së të cilit është përshtatja e rolit të OSBE-së, në përputhje me realitetet e reja në vend. MPJ i përmbahet qëndrimit se, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe reforma zgjedhore janë dhe mbeten fushat më prioritare të bashkëpunimit me OSBE-në, ku ndihma dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm i OSBE-së është dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Po kështu reforma në drejtësi dhe projektet e përbashkëta të mirëqeverisjes mbeten fusha prioritare të bashkëpunimit OSBE-Shqipëri”, thuhet në deklaratën e këtij institucioni. Sipas qëndrimit zyrtar të ministrit Basha, duke e fokusuar veprimtarinë e OSBE-së në Shqipëri në këto 3 fusha, MPJ beson se do rritet efektiviteti i saj dhe do shmanget çdo mbivendosje me punën e organizatave të tjera ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri, duke iu përgjigjur më mirë realiteteve dhe kërkesave të vendit. “Nuk është kërkuar asnjëherë kufizimi i prezencës së OSBE-së apo i rolit të saj në lidhje me zgjedhjet. Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme bën të ditur se, ka kërkuar përqendrimin e rolit të OSBE-së në lidhje me sigurimin e zgjedhjeve të lira. MPJ i është përmbajtur me përpikëri këtij qëndrimi në gjithë dokumentet e saj. Çdo interpretim tjetër, në veçanti pretendimi se MPJ ka kërkuar kufizim të rolit të OSBE-së në lidhje me zgjedhjet, është i pavërtetë dhe absurd”, përfundon deklarata.

Duçkallari: Opozita të marrë përgjegjësitë

Sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkallari, kërkoi nga forcat politike opozitare të marrin përgjegjësitë e veta përpara qeverisjes defektoze të Sali Berishës. “PDS vlerëson se tashmë, ndodhemi në një moment shumë të rëndësishëm për demokracinë në vend, moment ky që kërkon nga aktorët dhe faktorët realë opozitarë të marrin përgjegjësinë për të formësuar me kontributin dhe oponencën e tyre pozitive, eksperiencat, vlerat, frymën dhe mentalitetin e tyre në një aksion opozitar të përbashkët”, tha Duçkallari. Sipas tij, këtë emergjencë e kërkon qeverisja e degraduar në këto tre vjet e Sali Berishës dhe e maxhorancës së tij në të gjithë sektorët e jetës së vendit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›