E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat BE, Hoxha: Shqiptarët, kujdes me dokumentet që paraqesin

Pas marrëveshjes së liberalizimit të vizave me BE-në, ka 25 % më shumë aplikime nga ana e shqiptarëve për marrjen e vizave. 

Këtë e ka bërë të ditur sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxha në një prononcim për median. Sipas tij, kjo tregon se nuk ka ulje të numrit të vizave të dhëna, ndryshe nga sa pretendohet. Ai bëri të ditur se nisur nga fluksi i madh i kërkesave u është kërkuar ambasadave, që të shtojnë personelin e tyre me qëllim që të përballojnë kërkesat. Hoxha deklaron se “vizat e dhëna janë me një afat më të gjatë se më parë”. “Për shkak të shtimit të numrit të kërkesave për vizë, kjo ka bërë që kohëzgjatja nga momenti i aplikimit deri në dhënien e intervistës dhe më pas marrjen e vizës të jetë më i gjatë se zakonisht. Kjo ishte një diçka që ne e parashikonim dhe u kemi kërkuar, natyrisht në masën me të cilin mund t’ia kërkojmë vendeve anëtare, që të shtojnë personelin e tyre, sepse vetëm kështu mund t’iu përgjigjen hapësirës së re të krijuar nga marrëveshja e nënshkruar”, thekson sekretari Hoxha. Ndërsa refuzimi i vizave nga ambasadat e BE-së, sipas zyrtarit të lartë të MPJ-së lidhet me faktin se, shtetasit kanë pasur mangësi në dokumentacionin e tyre. “Të gjithë ata persona për të cilët verifikohet se kanë paraqitur dokumente jo të vërteta, apo me elementë të dyshimtë, futen në një listë, që unë do ta quaja një listë e zezë. Kjo listë qarkullon në të gjitha ambasadat e vendeve të BE-së. Këta persona duhet ta mbajnë parasysh këtë gjë, përpara se të dorëzojnë dosjen për aplikim me vizë. Nëse del e pavërtetë ata duhet të kenë parasysh që, nëse verifikohen si të tillë, ata asnjëherë nuk do të kenë mundësinë të marrin vizë dhe nuk do të lejohen të kalojnë, edhe kur të hiqen vizat me BE-në”, thekson Hoxha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›