E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Janë dyfishuar eksportet shqiptare

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se eksportet shqiptare, kryesisht mallra bujqësore, kanë pasur një dyfishim të eksportit drejt vendeve të tjera, njëkohësisht ka pasur edhe një ulje të importit të këtyre produkteve. “Ky vit ka një zhvillim pozitiv shumë të veçantë. Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit është dyfishuar në vlerë (leku) dhe është mbi dyfishuar në tonë eksporti i perimeve shqiptare, si dhe ka një rënie dramatike të importit të perimeve. Ndaj dua të sjell në vëmendjen e Ministrisë së Bujqësisë se duhet të bëhet një përpjekje e dytë e madhe për inkurajimin e mëtejshëm të eksportit të produkteve bujqësore”, - u shpreh Berisha. “Këtë vit, eksporti i perimeve është dy herë më i madh se vitin e kaluar. Vitin e ardhshëm, me ndërtimin e rrugës, eksportet do të jenë absolutisht tri herë më të mëdha, sepse e gjithë Myzeqeja është pothuaj një muaj para Kosovës në prodhimet e saj”, - tha Berisha.

Autostrada Thumanë-Rrogozhinë do të jepet me koncension

Këshilli i Ministrave miratoi ditën e djeshme përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të autostradës Thumanë-Rrogozhinë si dhe miratimin e bonusit të procedurës përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë. Kryeministri Berisha e konsideroi vendimin të rëndësishëm në fushën e transportit. “Një kompani serioze kroate ka bërë gati gjithë dokumentacionin dhe kërkon të marrë me koncesion këtë rrugë, por ligji shqiptar nuk e lejon koncesionin direkt. Ndaj edhe kërkesa e kompanisë, duke u kuotuar me një bonus, paraqitet në tregun ndërkombëtar, ku mund të marrin pjesë edhe kompani të tjera. Urojmë që ky proces të kurorëzohet me sukses, sepse ky aks është jetik për transportin”, - tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›