Basha: Opozita të jetë konsensuale për hapjen e dosjeve
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, kërkon konsensusin e opozitës për miratimin e ligjit të hapjes së dosjeve të ish-sigurimsave të shtetit. Z. Basha shprehu dje vendosmërinë e qeverisë që "procesi i trajtimit të dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit në Shqipëri të zhvillohet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me një konsensus sa më të gjerë politik". Këtë deklaratë ministri Basha e bëri dje gjatë takimit që zhvilloi me znj. Marianne Birthler, e Ngarkuara Federale për dosjet e shërbimit të sigurisë së shtetit të ish-Republikës Demokratike Gjermane (STASI). Birthler ndodhet në Shqipëri si e ftuar në konferencën e organizuar nga fondacioni “Friedrich Ebert” me temë: “Kapërcimi i së kaluarës - Zgjidhja e çështjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit në Gjermani dhe Shqipëri”. Duke vlerësuar zhvillimin e konferencës, ministri Basha ndërsa vuri në dukje se "ky është një dimension i ri në bashkëpunimin midis dy vendeve tona", vlerësoi se "eksperienca gjermane në lidhje me trajtimin e të kaluarës komuniste është shumë e vlefshme". Ndërsa Birthler u shpreh se "trajtimi i së kaluarës komuniste edhe në Gjermani ka qenë një poçes i vështirë, megjithatë ai ishte një proces i domosdoshëm për të ecur përpara". Pasi vlerësoi si shumë interesante njohjen me përvojën shqiptare mbi këtë temë, ajo nënvizoi se "pala gjermane do të ishte e gatshme të ndihmonte palën shqiptare në këtë drejtim".