E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria e medias, Shqipëria hapa para

Shqipëria është vlerësuar me notë pozitive në krahasim me një vit më parë për nivelin e lirisë së shtypit, por megjithatë ajo mbetet në vendin e 79-të në renditjen e 173 shteteve të monitoruara nga “Reporterët pa kufij”. Në raportin vjetor të grupit të lobingut për lirinë e shtypit vendi ynë shënohet me shigjetën në ngritje në lirinë e medias, duke u ngjitur 18 vende nga indeksi i vitit të kaluar, por gjithsesi, mbetet vend problematik dhe është pak mbrapa, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. Maqedonia ndodhet ne vendin e 42-t, Kosova ne vendin e 58-të. Ndërkohë ky raport thekson se demokracia nuk garanton domosdoshmërisht lirinë e medias. “Nuk është prosperiteti ekonomik që garanton lirinë më të madhe të shtypit, por është paqja”. Grupi i lobingut thotë se fjala e lirë është prekur në disa vende, në mënyrë të veçantë në SHBA dhe Izrael, për shkak të shqetësimeve për sigurinë. Por demokracitë parlamentare që nuk janë të përfshira në luftë, janë mirë në këtë drejtim, të tjerët ku përfshihen SHBA-ja dhe Izraeli, ndihmojnë në ndrydhjen e lirisë së shtypit. Kjo është arsyeja përse SHBA-ja për shembull, është në vendin e 36-të në klasifikimin e vendeve më të lira. Në krye të rreth 20 vendeve evropiane janë ato nordike, si Islanda, Norvegjia dhe Finlanda. Disa nga demokracitë e reja përfshirë Estoninë, Letoninë dhe Sllovakinë janë në dhjetë vendet kryesore. Britania është në vendin 23-të. Disa vende afrikane paraqiten më mirë se në vitet e mëparshme për sa i takon lirisë së shtypit. Ndër to, Namibia, Gana dhe Mali. Këto vende janë më mirë se Spanja dhe Italia, të cilat kanë shënuar një ulje. Raporti thotë se kjo ulje ka ndodhur për shkak të ndërhyrjes së mafias në politikë. Libani, Haiti dhe Argjentina kanë shënuar përparime, kurse Venezuela, Çadi dhe Sudani kanë pësuar rënie. Disa demokraci janë në nivele të dobëta: Rusia për shembull, Pakistani dhe Sri Lanka. Kina lëngon në vend të fundit, megjithëse ky ka qenë viti olimpik. Ajo është më keq se Arabia Saudite, Uzbekistani, Zimbabve dhe Irani, por jo më keq se Birmania.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›