E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Kush vjedh paratë e partisë, do denoncohet

Kush përdor për interesa personale, zhdëmton financat e Partisë Socialiste apo përdor burime të paligjshme në emër të veprimtarisë së saj, duhet të kthejë paratë në arkën e partisë, por mund edhe të denoncohet te organet e drejtësisë. Partia Socialiste në qendër ka paralajmëruar degët e saj në prag fushate për sanksionet që do të kenë në rast se keqpërdorin fondet partiake. Kjo gjë parashikohet gjithashtu në statutin e Partisë Socialiste në nenin 49, pika 6 dhe 7 të tij. Në një kohë parazgjedhore, ku fushatat bëhen gjithnjë e më luksoze, partitë politike përfshihen nga ethet e problemeve financiare. E për të shmangur papërgjegjshmëritë e ndonjë drejtuesi të strukturave të saj, krerët e PS-së kanë parashikuar disa sanksione, nëse zbulohet se për interesa e qëllime personale janë përdorur të ardhurat e partisë. Në pjesën e pestë të statutit që flet për mjetet financiare dhe materiale të partisë, parashikohet se çfarë i ndodh kujtdo që abuzon me financat e partisë. Pika 6 e nenit 49 përmban në vetvete dy paralajmërime me karaktere të ndryshme në vetvete. Së pari, me sanksionet për ata që përdorin për interesa personale burimet materiale dhe financiare të partisë. Së dyti, ka një paralajmërim të qartë për çdo anëtar të PS-së i cili përdor burime të paligjshme për financimin e veprimtarisë së partisë ose në emër të saj. Pavarësisht se sot partitë politike akuzohen se nuk kanë transparencë për burimet e tyre financiare, PS-ja ka sanksionuar në statut masa për këdo që përdor burime të paligjshme për veprimtaritë që lidhen me partinë. Të dyja aspektet e abuzimit kanë tre sanksione, dhe këto të ndara në bazë të hierarkisë së abuzuesve. Konkretisht, pika 6 thotë se “përdorimi i burimeve të paligjshme për financimin e veprimtarisë së partisë ose në emër të saj dhe përdorimi për qëllime personale i burimeve materiale e financiare të partisë është i papajtueshëm me normat morale dhe organizative të PSSH-së”.

“Si e tillë, - vijohet në statut, - sipas shkallës së përgjegjësisë për shkeljen e kësaj disipline, ndaj anëtarit të partisë merren masa, si zhdëmtim i arkës së partisë, çregjistrim nga partia, si dhe denoncim pranë organeve të drejtësisë”. Pika 7 e këtij neni parashikon se “masat jepen përkatësisht nga AS-ja e bashkisë/komunës dhe Kryesia e PSSH-së”. Neni 48 i statutit thekson se burimet financiare dhe materiale të partisë janë kuotat e anëtarësisë, nga buxheti i shtetit (sipas ligjit për partitë politike), nga ndihmat e anëtarëve dhe përkrahësve të partisë si dhe nga të ardhurat e tjera, në përputhje me ligjet e shtetit. Pavarësisht sanksioneve të parashikuara për financat e partisë, të paktën publikisht nuk ka të dhëna se janë bërë abuzime të tilla.

Sanksionet:

Përdorimi i burimeve të paligjshme për financimin e veprimtarisë së partisë ose në emër të saj dhe përdorimi për qëllime personale i burimeve materiale e financiare të partisë është i papajtueshëm me normat morale dhe organizative të PSSH-së. Sipas shkallës së përgjegjësisë për shkeljen e kësaj disipline, ndaj anëtarit të partisë merren këto masa:

a. Zhdëmtim i arkës së partisë;

b. Çregjistrim nga partia;

c. Denoncim pranë organeve të drejtësisë.

7. Masat jepen përkatësisht nga AS-ja e bashkisë/komunës dhe Kryesia e PSSH-së.

Prifti: Buxheti i 2007-ës rrëzoi premtimet e qeverisë

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi dje qeverinë se po keqqeveris vendin, ndërsa nuk ka marrë asnjë masë për të evituar efektet negative të kësaj krize që ka kapur vendin. “Qeveria nuk po merr masa për të evituar efektet negative të kësaj krize mbi shqiptaret dhe për pasojë ne mendojmë se kësaj qeverie i ka ikur koha, i ka dalë boja nga premtimet e pambajtura dhe mashtrimet dhe duhet të dorëhiqet”, - tha Prfiti në një konferencë shtypi. Më tej ai bëri një analizë të buxhetit të vitit 2007, i cili, sipas tij, rrëzon, me gjuhën e shifrave dhe fakteve tashmë të konfirmuara dhe nga Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, të gjitha premtimet e Berishës përpara shqiptarëve, rrëzon rresht për rresht të gjitha deklaratat e Berishës në spotin antikorrupsion, që me lekët e taksapaguesve po jepet në të gjitha mediat e vendit. “Buxheti faktik 2007 nxjerr të diskredituar përpara shqiptarëve deklaratat e kësaj qeverie për realizime të ardhurash prej miliarda lekë më shumë. Rritja nga viti në vit është njëlloj si dhe rritjet nga viti në vit të qeverive të mëparshme, por mosrealizimi i të ardhurave në 2007-ën është i pamohueshëm”, - shtoi Prifti. Nënkryetari i LSI-së vuri në dukje se buxheti 2007 nxjerr të diskredituar përpara shqiptarëve deklaratat e kësaj qeverie dhe për shpenzimet e mëdha që po bëhen për të rritur nivelin e jetesës së shqiptarëve. “Shpenzimet janë realizuar vetëm 93.7%. Shpenzimet korrente janë 80% dhe ato për investime janë 20%. Ku shkuan premtimet për qeveri në dietë nga z. Berisha?”, - deklaroi Dritan Prifti.

Braçe: Qeveria, shpenzime luksoze

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, akuzoi dje qeverinë Berisha për shpenzime të mëdha. Akuza e tij iu referua udhëtimit të Kryeministrit Berisha me helikopterin qeveritar në qytetin e Beratit. Sipas tij, udhëtimi me helikopterin qeveritar të cilin e konsideroi taksi private, ka një kosto të barabartë me 15 pensione në qytet ose 30 pensione në fshat. “Udhëtimi dje i Sali Berishës me taksinë e tij fluturuese, sipas çmimeve të ditës që aplikohen në të tilla raste, pa TVSH, na kushtoi 1000 euro në orë udhëtimi dhe 250 euro kosto e pritjes prej 5 orësh që i bëri Kryeministrit në ahengun e tij në Berat. I gjithë ky shpenzim është i barabartë më 1 milion e gjysmë lekë të vjetra ose me 15 pensione qyteti dhe 30 pensione fshati”, - tha Braçe. Ai e cilësoi një shpenzim skandaloz “nga paratë tona, nga paratë e shqiptarëve, nëse e krahason me ato 40 mijë lekë të vjetra që do t’i kishte kushtuar udhëtimi Sali Berishës, po të kishte marrë rrugën për në Berat me makinë, me makinën që po prapë ne ia paguajmë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›