Kodheli: Do vazhdojmë t’i bëjmë opozitë Berishës
Pak orë pasi zëdhënësja e Kryeministrit Berisha, Juela Meçani, akuzoi opozitën se po e përdor ngjarjen e Butrintit për përfitime politike, reagoi zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli. Ajo konfirmoi se edhe pse mazhoranca kërkon që opozita të heshtë për të gjitha dukuritë negative në vend, për të cilat fajin e ka qeveria, opozita do vazhdojë të tregojë me gisht se kush është fajtori i tyre. “Sipas Sali Berishës, opozita nuk duhet të flasë për rënien e frikshme të çmimit të jetës dhe për mungesën e plotë të sigurisë. Sipas tij, opozita nuk duhet të flasë për vdekjet në punë, në rrugë, në festë, në det; nuk duhet të flasë për korrupsion që vret njerëz, si në Gërdec apo mbyt njerëz si në Butrint. Por ne jo vetëm do të flasim për këto tragjedi, por dhe do të tregojmë me gisht Sali Berishën dhe qeverinë e tij si përgjegjës për mungesën e sigurisë dhe korrupsionin që merr jetë njerëzish”, - tha Kodheli.