“Basha”, PD sulmon Ina Ramën
ADI SHKEMBI
Partia Demokratike vijon për të dytën ditë radhazi akuzat e sulmet ndaj prokurores së Përgjithshme, Ina Rama për hetimin e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Pas deklaratave të deputetit demokrat Ferdinand Xhaferri, dje ishte zëdhënësi i selisë blu, Gerti Bogdani, i cili në një deklaratë për shtyp e konsideroi hetimin ndaj ministrit Basha si tërësisht politik dhe të projektuar në zyrën e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama. Duke reaguar pas deklaratës së selisë rozë lidhur me këtë çështje, Bogdani u shpreh se “Rama nxori sot fytyrën e tij të vërtetë, më lakuriq se fotot e tij që kanë marrë dhenë. Ai zgjodhi ditën e Flamurit për të sulmuar me urrejtjen më ekstreme projektin e shekullit të shqiptarëve. Sot ai zgjodhi si urim për festën Kombëtare sulmin ndaj ministrit Basha, personaliteti i të cilit prej kohësh e lë pa gjumë zotin Rama. Ministri Basha është i pari zyrtar në historinë e këtij vendi që ndonëse ndaj një akuze tërësisht politike, të formuluar nga Rama në zyrat e partisë së tij, kërkoi heqjen e imunitetit të vet për t’u faktuar shqiptarëve farsën e turpshme dhe primitive të stisur kundra tij”. Zëdhënësi i PD-së, akuzoi në të njëjtën kohë kreun e PS-së po hedh baltë mbi investimin më të rëndësishëm të së gjitha kohërave pikërisht në një ditë feste kombëtare. Sipas Bogdanit të gjitha vendimet për rrugën Durrës-Kukës janë marrë në mënyrë kolektive dhe ato nuk mund të shndërrohen në përgjegjësi personale. “Ministri Basha u hetua nga ata, që rruga Durrës– Morinë, aorta e kombit tonq, i lë pa gjumë; nga ata të cilët nuk festojnë ditën e Flamurit dhe që këtë rrugë me interes jetik për shqiptarët e sabotojnë nën drejtimin e zotit Rama dhe për interesa të mirëfillta jo-shqiptare; nga ata të cilët vodhën për 6 vjet taksat e shqiptareve dhe nuk ndërtuan as një metër rrugë; nga ata të cilët në urrejtje të papërmbajtur politike në një primitivizëm ekstrem besojnë se mund të shndërrojnë dhe të gjykojnë vendimin kolektiv si vendim dhe përgjegjësi individuale”, u shpreh më tej zëdhënësi i PD-së. Sipas partisë më të madhe të koalicionit të djathtë rruga Durrës–Morinë është kryevepra shqiptare e këtij shekulli në fushën e ndërtimeve. Vendimin për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës PD-ja e ka konsideruar si vendimin më të drejtë dhe më të rëndësishëm që një qeveri ka marrë ndonjëherë. “Partia Demokratike deklaron se ministri Basha ka zbatuar, zbaton dhe do të zbatojë me rigorozitet të plotë ligjet dhe rregullat e shtetit ligjor, të cilat përbëjnë edhe thelbin programor të kësaj partie. Sikundër i kujton zotit Rama se kohërat e Rrapi Ninove dhe e bastardëve të byrosë politike, e mercenarëve që në verbëri totale ekzekutonin pa gjyq qytetarë të pafajshëm, kanë marrë fund në Shqipëri. Ato jetojnë vetëm në skutat e amoralitetit njerëzor të z. Rama.
Shqipëria sot është vend i lirë, vend i shtetit ligjor”, u shpreh më tej zëdhënësi i Partisë Demokratike. Për të dytën ditë radhazi maxhoranca akuzon ashpër organin e Prokurorisë për hetimet që ajo ka ndërmarrë ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë për hetimin e procedurave të ndjekura për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.