Shoku i viktimës mohon vrasjen e të riut te Treni
TIRANE – “Burg pa afat” ishte masa e sigurisë që Gjykata e Tiranës vendosi dje për 25-vjeçarin kryeqytetas Shemsi Shaljani, të akuzuar për vrasjen nga pakujdesia të shokut të vet Ferdinand Gjata. Prokurori që kishte drejtuar hetimet paraprake i komunikoi të pandehurit akuzat: “vrasje nga pakujdesia” e “armëmbajtje pa leje” dhe i kërkoi gjykatës mbylljen e tij në qeli deri në përfundim të hetimeve. Vetë i pandehuri dhe mbrojtësi i tij nuk preferuan të jepnin shpjegime të hollësishme, ndërsa mohuan akuzën. Ndërkohë, përfaqësuesi i prokurorisë gjatë leximit të aktakuzës paraprake në ngarkim të së arrestuarit pohoi se ngjarja e rëndë, që i kushtoi jetën 22-vjeçarit Ferdinad Gjata ndodhi mbrëmjen e 24 nëntorit në një dyqan në bulevardin “Zogu I”, pranë stacionit të trenit. Ndërsa 25-vjeçari Shaljani, luante me pistoletë, arma shkrepet pa dashje dhe plumbi i dalë prej saj godet viktimën në trup. Pas kësaj i pandehuri në përpjekje për t’i shpëtuar jetën e transporton të plagosurin në QSUT, në urgjencën e Spitalit numër dy. Aty ai ka lënë viktimën dhe është larguar në drejtim të paditur. Mjekët janë përpjekur për ta sjellë në jetë të riun. Por humbja e një sasie të madhe gjaku dhe dëmtimi i organeve jetësore ka bërë, që viktima të ndërronte jetë edhe pas ndërhyrjeve intensive në plagën e tij. Policia e mbërritur në spital ka bërë të mundur fillimisht identifikimin e viktimës dhe më pas vendit ku ka ndodhur krimi. Pas kësaj janë pyetur dëshmitarët e vendit të ngjarjes dhe personat që ndodheshin në spital në momentin që u dërgua viktima. Këta kanë dhënë karakteristika të personit, që e dërgoi të plagosurin në spital. Pas kësaj policia e ka identifikuar atë dhe pas 16 orësh e ka vënë në pranga në qytetin e Beratit, ku kishte shkuar të fshihej te disa të afërm. Aty ishte gjetur edhe arma e krimit tip “Zastava”. Më pas policia ka bërë edhe paraqitje për njohje, ku dëshmitarët kanë pohuar se ky ishte personi që e kishte dërguar në spital viktimën. Pas kësaj mbrojtja dhe vetë i pandehuri i kërkuan gjykatës vendosjen e një mase më të lehtë sigurie nga ajo e “arrestit në burg” e kërkuar nga prokuroria. Sipas tyre gjykata duhet të merrte në konsideratë rrethanat lehtësuese të paraqitura nga pala mbrojtja. fa.ma.