E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Kodheli: Basha të japë dorëheqjen si ministër i Jashtëm

 

Partia Socialiste i kërkon ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha të japë dorëheqjen nga posti që mban, pasi nuk u paraqit në Prokurori për t’u njohur me akuzën për rrugën Durrës-Kukës. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli tha dje në një konferencë për shtyp, se kreu i diplomacisë me mosparaqitjen në Prokurori sfidoi pushtetin gjyqësor dhe dha një shembull të keq për imazhin e vendit. “Basha duhet të dorëhiqet si ministër i Jashtëm, pasi me aktin e tij sfidues ndaj pushtetit gjyqësor, ka dhënë edhe shembullin më të shëmtuar për imazhin e demokracisë shqiptare në botë, ku qeveritarët në vend të llogaridhënies për aktivitetin e tyre, kthehen në shpërfillës apo sipas rastit edhe në kërcënues ndaj organeve të pavarura, që mbrojnë interesin publik dhe çojnë në vend llogaridhënien për shpenzimin e parave publike”, u shpreh Kodheli. Ajo akuzoi ministrin e Jashtëm se duke i thënë “jo” Prokurorisë tregoi, se ligji është për t’u zbatuar vetëm nga njerëzit e thjeshtë, por jo nga zyrtarët e lartë të qeverisë. “Me aktin e tij arrogant dhe kërcënues ai kërkon t’iu imponohet organeve të drejtësisë dhe t’u tregojë atyre se ato nuk mund të veprojnë mbi të apo shokët e ekipit të tij qeveritar, pasi kanë për mbrojtës një kryeministër, që urren në palcë fjalën drejtësi apo pavarësi të gjyqësorit, kurdo që kjo e fundit del jashtë “vathës” së tij qeveritare apo akuzon ndonjë syresh të “oborrit” kryeministror”, tha Kodheli. Sipas saj “Nga ana tjetër heshtja e zotit Berisha apo ndërsimi prej tij i disa deputetëve kartonë të shumicës për të sulmuar Prokurorinë, nuk bëjnë gjë tjetër përveç se konsolidojnë dyshimin, që kjo qeveri demagogjinë e qeverisjes me duar të pastra e ka kthyer në alibi për punë të pista”. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e kësaj force politike për forcimin e pavarësisë dhe eficiencës së organeve të drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›