“Qiraja”, arrestohen dy shpërndarës droge në Korçë
KORÇE - Policia e Korçës organizoi dje një operacion të koduar “Qiraja”, duke arrestuar dy persona që shpërndanin lëndë narkotike. Sipas policisë, fillimisht u prangos 22-vjeçari Jorgo Kamberi nga Korça. Ai u kap teksa po u afronte drogë një grupi adoleshentësh, ndërsa iu gjetën 8 doza heroinë si dhe një shumë parash. Dyshohet se 22-vjeçari është pjesë e një rrjeti të shpërndarjes së drogës, pjesëtarët e të cilit pritet të arrestohen në vijim. Po dje u arrestua 29-vjeçari Petrit Plloça. Gjatë kontrollit në banesën e tij të zënë me qira në rrugën që të çon në Voskopojë, blutë sekuestruan 5 pako me nga 900 gramë secila si dhe një qese plastmasi me 34.6 gramë me bimë narkotike, e cila dyshohet se është e llojit kanabis sativa si dhe një sasi pluhuri prej 270 gramë e ngjashme me heroinën. Policia bllokoi dhe një sasi parash, disa celularë si dhe mjetin me të cilin lëvizte i riu. j.gj