Rikonstruktohet rruga “Lekë Dukagjini”
SHKODER – Rreth 82 milionë lekë do të investohen për rikonstruksionin e “Lekë Dukagjinit”. Rruga qindravjeçare e qytetit të Shkodrës, e përmendur në një sërë librash e dokumente të vjetra historike, më në fund do të ketë pamje të re. Ajo ka shërbyer si urë lidhëse mes Pazarit të Vjetër me 2 mijë dyqane dhe banorëve të Malësisë së Dukagjinit. Në këtë aks lëviznin banorët e zonave të thella malore për në drejtim të pazarit të Shkodrës dhe të molos së lumit Buna, me qëllim blerjen e mallrave të ndryshme, si ato ushqimore ashtu edhe ato të nevojave të përditshme. Edhe pse jo më shumë se 300 metra larg nga qendra e qytetit, vetëm këto ditë ka filluar puna për rikonstruksionin e saj. Rruga me një gjatësi 900 metra po rehabilitohet falë një fondi nga FSHZ. Pritet që pas 30 vitesh banorët të mos udhëtojnë më në rrugë me gropa. r.d