Kumbaro, certifikata e djalit tradhton agjentin e SHIK-ut
Trazhgim Sokolaj
Alibitë e ish-agjentit të Shërbimit Informativ Kombëtar Ilir Kumbaro, i arrestuar në Londër me akuzën e rrëmbimit dhe torturave ndaj të zhdukurit Remzi Hoxha, duket se kanë marrë fund. Prej 12 vitesh që kur ai u largua në rrethana misterioze nga Shqipëria dhe deri më tani, që u arrestua dhe mbahet në paraburgimin anglez, ish-agjenti i SHIK-ut ka vënë në përdorim emrin Shaqa Shatri, duke pretenduar të ishte një shtetas çek i persekutuar në vendin e tij të origjinës dhe aplikues për strehim politik në Britaninë e Madhe. Por tri ditë më parë në seancën gjyqësore në Londër, Prokuroria angleze paraqiti në gjyqin kundër Ilir Kumbaros një certifikatë të djalit të tij, e cila sipas procesverbalit të mbajtur nga Scotland Yard, policia e Londrës, u sekuestrua gjatë kontrollit të ushtruar në banesën, ku qëndronte i prezantuari si Shaqa Shatri. Prokuroria shqiptare dhe policia angleze po e mbajnë në burg të arrestuarin me dyshimet e bazuara se pas identitetit të rremë të tij fshihet Ilir Kumbaro, ish-oficeri i SHIK-ut, pjesëmarrës në rrëmbimin dhe torturat ndaj biznesmenit Remzi Hoxha i zhdukur në Tiranë më 21 tetor 1995. I dyshuari ra na pranga në ditët e para të tetorit 2008 në Londër pas një ndjekje të gjatë e të ndërlikuar që kur dosja e zhdukjes së Remzi Hoxhës u rihap në Tiranë me akuzën për katër ish-zyrtarë të Shërbimit Informativ në vitin 1995. Pas arrestimit të Kumbaros, policia zhvilloi një kontroll në shtëpinë ku banonte i dyshuari. Aty u gjet një mori dokumentesh false mes të cilave hetuesve u ka rënë në dorë edhe një certifikatë me emrin Ervin Ilir Kumbaro. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, e cila tha se një dokument i tillë u paraqit para gjykatës angleze në seancën e 26 nëntorit 2008. Sipas Prokurorisë, certifikata në fjalë i përket djalit të Ilir Kumbaros, duke bërë kështu lidhjen mes ish-agjentit të SHIK-ut të kërkuar nga drejtësia shqiptare për rrëmbim e tortura me pasojë zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe personit të arrestuar në Londër, i cili pretendon të jetë shtetas çek me emrin Shaqa Shatri. Në mungesë të gjurmëve të gishtave, të cilat nuk ndodhen në dosjen penale si element identifikues për shkak të statusit, që Kumbaro zotëronte si ish-agjent i SHIK-ut, certifikata e gjetur në banesën e tij në Londër konsiderohet si një nga provat më të forta për konfirmimin e identitetit të tij dhe ekstradimin e mundshëm drejt Tiranës me qëllim gjykimin e Ilir Kumbaros për akuzat e ngritura ndaj tij.
Provat e reja, shtyhet vendimi në Londër
LONDER – Gjykata londineze që po shqyrton rastin e Ilir Kumbaros shtyu afatin për dhënie vendimi pas provave të reja, që u paraqitën në seancë nga Prokuroria. Trupi gjykues tha së kërkon kohë për të marrë në shqyrtim certifikatën e dorëzuar nga pala e akuzës, me qëllim që provat e reja të gjejnë pasqyrim në vendimin përfundimtar të gjykatës. Ilir Kumbaro është paditur nga policia për falsifikim dokumentesh, duke përdorur emrin Shaqa Shatri, ndërsa nëse ai shpallet fajtor atëherë sipas akuzës, del e provuar se ai është personi i kërkuar nga drejtësia shqiptare për çështjen e Remzi Hoxhës, në të cilën tre ish-kolegë të Kumbaros po gjykohen aktualisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Nëse provohet me vendim gjykate, se i arrestuari është Ilir Kumbaro atëherë fillon procedimi i ekstradimit, me qëllim që edhe ai të jetë në bankën e të akuzuarve, në gjykatën që po shqyrton çështjen në mungesë të tij në Tiranë.