E Hënë, 2 Nëntor 2026

Basha: “PS po abuzon me mediat për antireklamë ndaj opozitës”

26/05/2005  Zëdhënësi i fushatës në Partinë Demokratike, Lulzim Basha, i ka konsideruar të pabaza akuzat e Partisë Socialiste, sipas të cilës PD ka shkelur ligjin me hapjen përpara kohe të fushatës zgjedhore. Sipas Bashës, antireklama e PS-së e botuar në një pjesë të shtypit shqiptar është abuzim ligjor me median. “Me porosi të Partisë Socialiste në shtypin e ditës është botuar për herë të parë një antireklamë e bazuar në shpifje. Partia Demokratike deklaron se nuk ka shkelur asnjë normë ligjore dhe i është përmbajtur plotësisht Kodit Eelektoral dhe Kodit të Etikës. Eshtë Partia Socialiste, ajo që vazhdon të thyejë ligjin, duke përdorur fondet publike, administratën, policinë dhe pjesëtarët e Forcave të Armatosura në aktivitetet e saj elektorale, të cilat kanë filluar prej mëse dy muajsh. Partia Demokratike e dënon këtë akt të dëshpëruar paniku si dëshmi e moralit humbës të Kryeministrit dhe partisë së tij”, tha Basha. Në fjalën e tij, zëdhënësi elektoral i PD-së ka përmendur edhe incidentin e një dite më parë mes kandidatit të PD-së në zonën 38, Ylli Pango dhe kryetarit të Njësisë Bashkiake numër 2, Përparim Bodinaku. “Partia Demokratike dënon provokimin e rëndë të kryetarit të minibashkisë numër 2, Përparim Bodinaku, i cili përdori policinë dhe veprime të dhunshme për të intimiduar stafin elektoral të kandidatit të opozitës, Ylli Pango, të përbërë nga tre zonja, në kohën kur ndodheshin në një takim pune në minibashki për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të regjistrimit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›