E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapet Murrja, vrau në Angli, Jahelezin

26/05/2005  Petrit Murrja ka ekzekutuar me thikë tropojanin në Birmingam, më 27 mars të 2003-shit

TIRANË- Provat e mbledhura nga anglezët zbardhin përfundimisht emrin e një vrasësi nga Paskuqani, që masakroi me thikë në Birmingam të Anglisë një shtetas shqiptar. Uniformat blu të Komisariatit numër 2, në bashkëpunim me punonjësit e Komisariatit numër 3, të urdhëruara nga Prokuroria e Tropojës, pas një urdhërarresti të ardhur nga Anglia, arrestuan dje në mëngjes, gjatë një postblloku, pranë zonës së ish-Bllokut, 25-vjeçarin e lindur në Dibër dhe banor të lagjes së Paskuqanit në Tiranë, Petrit Murrja. Ky i fundit akuzohet se ka masakruar me një thikë ushtarake të riun Arbër Jahelezi, më 27 mars të vitit 2003, në vendin e quajtur “Cannon Hill“ të qytetit të Birmingamit, kur viktima ishte i shoqëruar nga një femër bjonde me kombësi angleze. Gjatë të gjitha seancave gjyqësore që u zhvilluan në këtë qytet, prokurori Christofer Millingon hidhte dyshime se vrasësi nuk mund të ishte tjetër veçse një shqiptar dhe shkaku do të kishte qenë një grindje banale mes tyre, duke qenë se në brendësi të ngjarjes ishte edhe 22-vjeçarja angleze, Caroline Lowe. Kjo e fundit u dënua me 80 orë punë vullnetare dhe dy vjet pjesëmarrje në qendrat e rehabilitimit, por gjithsesi në asnjë moment ajo nuk pranoi të tregonte emrin e vrasësit. Rreth dy vjet hetime mundën të zbardhin emrin e vërtetë të vrasësit, i cili pas arrestimit në Tiranë, ka pohuar se pas ngjarjes ishte zhdukur nga Birmingami në drejtim të një qyteti tjetër, e më pas kishte mundur të mbërrinte në Shqipëri.

Ngjarja

Mesditën e 27 marsit të vitit 2003, Arbër Jahelezi ishte duke ecur në rrugë, pranë vendit të quajtur “Cannon Hill“ së bashku me Caroline Lowe. Vrasësi ishte afruar rastësisht pranë tyre dhe fërkimi i momentit kishte krijuar një acarim mes tyre. Më pas, Murrja i ishte afruar viktimës dhe, pasi nxori thikën ushtarake nga brezi, e qëlloi disa herë në pjesë të ndryshme të trupit. Të pranishmit në vendngjarje e morën të plagosurin dhe e dërguan urgjent në spitalin e Birmingamit, në të cilin ai dha shpirt disa orë pas kurimeve intensive.

Hetimet

Prokurorët nuk kishin provë tjetër në dorë, përveçse disa karakteristikave të vrasësit, të cilat u morën nga vajza dhe nga dëshmitarët. Prokurori Millington kishte deklaruar disa herë se vrasësi duhet të ishte shqiptar, përderisa ishte një grindje e momentit dhe dihej që ai mbante veshur pantallona të zeza dhe ishte 1.80 i gjatë. Në krye të dy viteve u arrit të zbardhet edhe vrasja e radhës në Angli.

Precedentët

Vrasjet e shqiptarëve mes njëri-tjetrit në Angli kanë qenë të shumta dhe një pjesë prej tyre kanë mbetur të pazbardhura. Mes tyre përmendet vrasja e Tit Zelës, në vitin 1997, ku pas hetimeve u zbulua që vrasësi ishte Kastriot Kala. Vritet Pal Qerimi në vitin 2000 dhe vrasësi. Nikë Pylla u arrestua më pas. Në vitin 2001 ekzekutohet Përparim Malaj. Vrasësit janë Arben Pali, Marjan Lukaj e Petrit Çoli. Ndërsa në vitin 2003 vritet Roland Bici, ku vrasësi ende nuk është gjetur. Një tjetër rast pa autor është vrasja e Dritan Përdodës, në vitin 2004.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›