E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tensionohet fuashata, përplasen kandidatët e zonës 58

26/05/2005  Berisha prezanton për deputet në Belsh dhe në Lushnjë

Kandidatët e dy forcave politike PS dhe PD janë përplasur dje gjatë një tubimi të organizuar nga opozita për prezantimin e kandidatit të Partisë Demokratike në zonën 58 në Belsh të Elbasanit, Bexhet Uruçi. Kandidati i PS-së Ndriçim Hysa në momentin që e ka qenë duke u zhvilluar aktiviteti i PD-së, vetëm 100 metra më tej ka zhvilluar një koncert me nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme të Belshit. Vetëm pak minuta më vonë kandidati i PS-së ka kaluar pikërisht përpara turmës ku zhvillohej tubimi. Ky veprim ka tensionuar disi simpatizantët e mbledhur në prezantimin e Uruçit. Gjithsesi ndërhyrja e organizatorëve të mitingut ka qetësuar turmën dhe aktiviteti është zhvilluar normalisht. Gjatë fjalës së tij në prezantimin e Uruçit, kreu demokrat tha se Belshi në rast fitoreje të PD-së do të kthehet në nënprefekturë “Ndjej kënaqësinë që ju prezantoj si kandidat për deputet të PD, qytetarin simbol të suksesit, të ndershmërisë dhe shpirtit punëtor Bexhet Uruçi. Ju garantoj se nesër në parlament do të mbështesim fuqishëm përpjekjet e Bexhet Uruçit për urbanizimin e kësaj zone, për shndërrimin e fermave në fitimprurëse për punësimin tuaj, për kryerjen e shërbimeve tuaja, duke qenë se Belshin do ta bëjmë nënprefekturë”, tha Berisha. Ndërkohë kandidati Bexhet Uruçi, ka akuzuar rivalin e tij Hysi se po bën presion psikologjik mbi banorët e Belshit dhe zonës së Dumresë. Gjatë fjalës së tij, kandidati i PD-së tha se pushteti i PD-së do të jetë ndryshe nga ai i socialistëve. “Pushteti të jetë ndryshe nga i sotmi që banorët e Dëshiranit, Cragotit, Rrasës, Gjyralës, Xherias, Allajbegut apo Belshit të mos shkojnë në Elbasan për të vulosur një çertifikatë apo netorizuar një dokument, duke e bërë Belshin Nënprefekturë”, tha Uruçi. Ndërkohë ditën e djeshme kryetari i PD-së Berisha ka udhëtuar drejt qytetit të Lushnjës, ku ka prezantuar kandidatët për deputet të këtij qyteti Mevlan Xhindoli dhe Ilir Bano. Gjatë fjalës së tij përpara elektoratit Berisha u ndal kryesisht në zhvillimin e bujqësisë në këtë rreth. Sipas tij në programin e PD-së për bujqësinë parashikohet ngritja e Bankës së Tokave, e cila do të sigurojë kredi për fermerët, si dhe uljen e çmimeve për plehrat kimike, uljen e çmimit të naftës për mekanizatorët etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›