E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkaku i punimeve të KOSTT-it, rikthehen reduktimet

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se për shkak të implementimit të projektit të KOSTT-it për rehabilitimin e nënstacionit 220/110 kilovolt, gjatë ditës së sotme, disa qytete të Kosovës me rrethina do të mbesin pa energji elektrike.

Në kuadër realizimit të punimeve në kuadër të projektit për rehabilitimin e nënstacionit 220/110 kV (kilovolt) Kosova A, do të bëhet edhe shkyçja totale e stabilimenteve të anës 220 kV të NS Kosova A.

KEK njofton se punimet kanë filluar nga ora 7 në mëngjes, kurse pritet të përfundojnë diku nga mbrëmje rreth orës 18. KEK-u ka energji elektrike të mjaftueshme në dispozicion, por për shkak të punimeve të KOSTT-it do të ketë reduktime në pjesë të vendit, njofton Korporata Energjetike e Kosovës.

Bëhet e ditur se gjatë kohës sa zgjasin punimet pa energji do të mbesin: qyteti i Vushtrrisë e Skenderajt me rrethinë, përveç daljeve me prioritet të Kategoria A+, ujësjellësve dhe spitaleve, ndërsa që Trepça do të ketë furnizim 50 për qind dhe një pjesë e qytetit të Prishtinës që furnizohet nga TS 110/10kV, si lagjet Arbëria, Vranjevci etj.

Ndërkaq, nënstacionet Prishtina 2 dhe Prishtina 3 do të kenë kufizime në furnizim me energji elektrike deri në 50 për qind, duke futur këtu edhe lagjen e Bregut të Diellit, Velaninë, Lagjen e Spitalit, Qafën, Arbërinë, Matiçanin, Parkun, si dhe rrugët Agim Ramadani e Gustava Majer. Reduktime do të ketë edhe në Ferizaj, Gjilan, Lipjan dhe Viti me rrethinë.

KEK thekson se implementimi i projektit të KOSTT për rehabilitimin e nënstacionit 220/110 kV Kosova A, do të ketë ndikim në ngritjen e sigurisë së sistemit transmetues dhe furnizimin më stabil me energji elektrike të qytetarëve të Kosovës. (KosovaPress)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›