E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paloka: Rama, presion qytetarëve të shembin shtëpitë për pallate



Deputeti i PD-së, Edi Paloka, akuzoi dje kreun e baskisë, Edi Rama, se prish qëllimisht shtëpitë e banorëve për të ndërtuar pallate. Nga foltorja e Kuvendit Paloka u shpreh se Rama u ngjyros natën banesat qytetarëve dhe ditën u çon Policinë Ndërtimore për t’i shprishur ato. “Me pretendimin për të zgjeruar rrugicat e brendshme të lagjeve, muret e shtëpive shënohen gjatë natës dhe të nesërmen Policia Ndërtimore shkon për t'u prishur shtëpitë. “Bojaxhinjtë” e Edi Ramës u shënojnë muret banorëve si çifutëve dikur dhe kjo nuk bëhet për të ndërtuar Tiranën, por për të vjedhur zoti Rama sa më shumë. Ky fenomen, për herë të parë ka ndodhur në vitin 2001 në Allias, ku të gjitha muret e shtëpive ishin shënuar me bojë dhe më pas u dërgua Policia Ndërtimore për t'i prishur ato”, - deklaroi Paloka. Sipas tij, ky është një presion i hapur për banorët të cilët të pranojnë ndërtimet e pallateve të ndërtuesve të lidhur me Ramën. “Dërgohet njëherë Policia Ndërtimore për të prishur shtëpitë e qytetarëve dhe më pas delijorgjët për ta blerë atë tokë sa më lirë dhe për të ndërtuar pallatet e tyre”, - tha Paloka. Ai akuzoi Ramën edhe për mungesën e planit urbanistik. “Duke mos dorëzuar planin urbanistik, kryetari i Bashkisë së Tiranës bën korrupsion aktiv dhe pasiv”, - shtoi ai. Deputeti i PS-së e cilësoi propozimin e PS-së për letërnjoftimet si abuzim. “Nëse zoti Rama e ka kaq merak problemin e pagesës së tyre nga shtresat e varfra, atëherë le të ulë taksat që i ka rritur 4-5 herë deri tani, në mënyrë që qytetarët e Tiranës të kenë mundësi të paguajnë kartat”, - tha Paloka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›