E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo, mbështetje për aplikimin në BE



Zëvendëskryeministri Genc Pollo priti dje delegacionin e Parlamentit Evropian të kryesuar nga Doris Pak, nga ku mori mbështetjen për aplikimin e Shqipërisë në BE. Pollo, pasi mori mbështetjen e europarlamentarëve për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit anëtar të BE-së, kërkoi mbështetjen e PE-së pasi Shqipëria ta ketë bërë këtë kërkesë, në mënyrë që procesi të jetë sa më i suksesshëm dhe i shpejtë. Ai garantoi delegacionin evropian se qeveria do bëjë të mundur që këto zgjedhje të jenë më të mirat të realizuara deri më sot në vend dhe të krahasueshme me standardet më të mira në Evropë. Eurodeputetët ndanë të njëjtin mendim me palën shqiptare se është e nevojshme që të gjitha partitë e spektrit politik parlamentar shqiptar të bëjnë përpjekje për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe pajisjen e tyre me letërnjoftime elektronike.

Topi: Të zgjidhet sa më parë çështja e pronësisë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, takoi dje delegacionin e Parlamentit Evropian, të kryesuar nga Doris Pak, nga ku deklaroi se reformat e pronësisë do të bëhen sa më shpejt. Duke folur më shumë për pronën private dhe legalizimet, Presidenti tha se është një ndër prioritetet për të cilin po punohet shumë, si një problem i ndërlikuar që kërkon zgjidhje komplekse dhe që shteti shqiptar është i vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për përfundimin sa më shpejt dhe me sukses të plotë të kësaj reforme. Duke u ndalur në zgjedhjet e pritshme parlamentare të qershorit 2009, ai theksoi se po bëhen përpjekje të vazhdueshme për pajisjen e popullsisë me karta identiteti brenda afatit, proces i cili është në fazën e aplikimit nga shtetasit shqiptarë dhe që do të synojë garantimin e zgjedhjeve të lira, korrekte dhe të pakontestuara. Nga ana e saj, kryetarja e delegacionit, Doris Pak, dhe anëtarët e tjerë europarlamentarë shkëmbyen mendime me Presidentin Topi rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, situatën politike në vend, reformat e ndërmarra, kryesisht reformën zgjedhore dhe situatën ekonomike. Bashkëbiseduesit diskutuan dhe shkëmbyen pikëpamje për reformën zgjedhore, zgjedhjet e ardhme parlamentare dhe përmbushjen e standardeve të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›