E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pak-Alibeaj: Reformuam sistemin e drejtësisë



Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në takimin me kryetaren e delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhëniet me vendet e Evropës Juglindore, Doris Pak, deklaroi se nismat ligjore të ekzekutivit kanë përmirësuar sistemin e drejtësisë. Alibeaj u shpreh se ligjet e miratuara në Kuvend kanë rritur pavarësinë e institucioneve njëkohësisht edhe përgjegjësitë e tyre përpara ligjit dhe qytetarëve. “Ndryshimet ligjore rrisin garancitë e prokurorisë për pavarësi, paanësi dhe përgjegjshmëri para ligjit në ushtrimin e detyrës, si dhe krijojnë një mekanizëm transparent marrëdhëniesh mes qeverisë dhe prokurorisë, në funksion të zbatimit të ligjit dhe luftës ndaj kriminalitetit”, - deklaroi Alibeaj. Ministri informoi me detaje në lidhje me situatën reformuese në sistemin gjyqësor në vend, performancën e arritur në trajtimin e të dënuarve si dhe ecurinë e marrëdhënieve institucionale. Më tej, ministri informoi delegacionin edhe për ndryshimet e reja ligjore të miratuara nga Parlamenti shqiptar. Në mënyrë të veçantë ai u ndal tek ndryshimet ligjore në “Ligjin për prokurorinë”, të miratuar nga Parlamenti vitin e shkuar pas asistencës dhe mbështetjes me ekspertizë të misioneve EURALIUS dhe OPDAT. Përmirësimi i trajtimit të të burgosurve nëpërmjet rritjes së normës ushqimore, rritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore, uljes së mbipopullimit në burgje me ndërtimin e tre burgjeve të reja, përmirësimin e trajtimit për grupet e veçanta si të miturit, gratë dhe të sëmurët, ndryshimet në Kodin Penal si dhe ngritja e “Shërbimit të Provës” u cilësuan si arritje në respektimin e të drejtave të dënuarve. Eurodeputetja Doris Pak vizitoi dje Shqipërinë në ditën e saj të lindjes dhe në fillim të takimit, ministri Alibeaj i dhuroi asaj një buqetë lulesh.

Nishani, gati liberalizimi i vizave

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, priti dje delegacionin e eurodeputetëve të cilët i garantoi për infrastrukturën parazgjedhore si dhe për standardet tek letërnjoftimet dhe pasaportat. Nishani njohu Pakun me procesin e përgatitjes dhe realizimit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Ministri deklaroi se janë përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Ai paraqiti një informacion të hollësishëm për eurodeputetët lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike. Ministri Nishani u shpreh se procesi është në rrugën e duhur, po ecën normalisht dhe në bazë të kapaciteteve të vëna në dispozicion, janë të gjitha mundësitë që deri më 28 qershor të pajisen me letërnjoftime elektronike deri në 1.3 milion zgjedhës. Për sa i takon interesimit të europarlamentarëve për propozimin e Partisë Socialiste për dhënien falas të letërnjoftimit elektronik, ministri Nishani informoi se deri më tani janë bërë disa reduktime të çmimit të letërnjoftimit elektronik. “Qytetari duhet të paguajë një çmim për këtë dokument identifikimi që ta ndiejë atë si pronë të vetën”, - tha Nishani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›