Siglohet marrëveshja e hapësirave detare me Greqinë
Shqipëria dhe Greqia tashmë kanë një marrëveshje për hapësirat detare. Dje në Ministrinë e Punëve të Jashtme, u siglua marrëveshja midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë lidhur me delimitimin e hapësirave detare dhe Shelfit Kontinental. Kjo marrëveshje është me rëndësi të veçantë për të dy vendet, e bazuar në parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe veçanërisht të Konventën e OKB-së për Detin dhe do të nënshkruhet së afërmi. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se përfundimi i kësaj marrëveshjeje do të kontribuojë në thellimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira e miqësore që ekzistojnë mes dy vendeve.
Basha: Në të ardhmen, ambasadë në Australi
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti dje në një takim ambasadorin e Australisë në Shqipëri, rezident në Athinë, Xheremi Roxher Njuman, ku diskutuan rreth marrëdhënieve mes dy vendeve. Ministri Basha njohu ambasadorin me nismën e qeverisë shqiptare për hapjen në të ardhmen të një misioni diplomatik shqiptar në Australi i cili do t’i shërbejë intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike. Në këtë kuadër, ministri tregoi gatishmërinë për mbështetjen e kompanive australiane që kërkojnë të investojnë në Shqipëri, veçanërisht në fushën minerare. Kreu i diplomacisë shqiptare i shprehu mirënjohjen ambasadorit Njuman për mbështetjen që Australia i ka dhënë Shqipërisë në politikën e saj të jashtme, kryesisht në çështjen e Kosovës. Nga ana e tij, ambasadori Njuman, pasi vuri në dukje bashkëpunimin midis dy vendeve, vlerësoi klimën mjaft të përshtatshme për investimet në Shqipëri. Gjithashtu, ai theksoi se Australia mirëpret anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e konsideruar atë faktor stabiliteti dhe paqeje në rajonin e Ballkanit. Ambasadori australian po kryen një vizitë pune zyrtare në Shqipëri.