E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Respektoni të drejtat e homoseksualëve

Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, bën apel për respektimin e të drejtave të homoseksualëve. Sipas kryediplomatit amerikan në Tiranë, shoqëria, përfshi këtu dhe shoqërinë shqiptare, duhet të shmangë diskriminimin ndaj kësaj kategorie. Apeli i Uidhers u bë gjatë promovimit në Tiranë të filmit "Milk", i cili tregon historinë e personit të parë homoseksual në Kaliforni. Uidhers vlerësoi dhe vendimin e qeverisë për ligjshmërinë e martesave mes homoseksualëve, ndërsa dënoi vrasjen e tranvestitit në qendër të Tiranës. "Është koha të shmangim diskriminimin e orientimit seksual. Do të ketë shumë gjëra për të bërë. Vetëm pak ditë më parë një transeksual u vra në Shqipëri për shkak të homofobisë. Do doja të përgëzoja Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili ka folur në mbështetje të ligjit antidiskriminim për të drejtat dhe liritë e homoseksualëve", tha Uidhers në fjalën e tij përshëndetëse. Në aktivitetin e zhvilluar në Akademinë e Arteve ishte e ftuar gjithashtu edhe Ilej Novell, gruaja e parë lezbike që është zgjedhur për herë të parë në këtë legjislaturë si përfaqësuese në shtetin Masacusets. Filmi "Milk" tregon historinë e vërtetë të personit të parë homoseksual në Kaliforni, i cili u zgjodh kryetar bashkie. Gjatë gjithë kohës ai punoi për të drejtat e homoseksualëve. Ky person është vlerësuar me medaljen e lirisë nga Presidenti Obama. Në 11 tetor, Amerika do të kujtojë 30-vjetorin e lëvizjes së homoseksualëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›