Marrëveshja e ndarjes së ujërave Greqi-Shqipëri
Komisioni parlamentar i Ligjeve i ka dhënë "Ok" marrëveshjes Shqipëri-Greqi për koordinatat ujore. Projektligji i qeverisë u miratua në shtator në komision, vetëm me votat e mazhorancës dhe u shoqërua nga polemika, duke u konsideruar si skandal. Në shtyp janë botuar prova që konfirmojnë se kjo marrëveshje çon në humbjen e hapësirave ujore të Shqipërisë në raport me Greqinë. Sipas projektligjit, kufiri detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë do të përcaktohet në përputhje me parimet e baraslargësisë. Në mënyrë më specifike vija e delimitimit do të jetë vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë kontinentale dhe ishullore, nga e cila matet gjerësia e ujërave territoriale detare. Dy shtetet kanë rënë dakord që aktualisht delimitimi nuk duhet të shtrihet përtej pikës 150. Në vijim delimitimi do të shtrihet derisa të prekë pikën treshe të baraslarguar, duke zbatuar metoda të njëjta me ato që janë përdorur për përcaktimin e limiteve ndërmjet pikave 1 dhe 150. Marrëveshja përcakton një kufi ndarës në masë të barabartë mes dy shteteve, 150 pika ndarëse në të gjithë sipërfaqen ujore.