E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i kandidatit, shtyhet shqyrtimi

Shtyhet sërish shqyrtimi i kandidaturës së Shqipërisë nga diplomatët e Bashkimit Europian. Megjithëse Presidenca Suedeze e kishte përfshirë në axhendën e diskutimeve të komitetit të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare, shqyrtimi i aplikimit është hequr nga axhenda, për shkak se Gjermania ka kërkuar më shumë kohë. Sipas burimeve konfidenciale, "Top Channel" raporton se referuar një ligji të ri të imponuar nga Gjykata Kushtetuese si kusht për ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, diplomatët gjermanë kanë shpjeguar në takim se ende nuk janë të qartë nëse duhet respektuar Bundestagu përpara se të shprehet qëndrimi për aplikimin e Shqipërisë. Në një rast të tillë, shqyrtimi i kandidaturës do të shtyhej për më shumë se një muaj, pasi mbledhja e parë e Dhomës së Ulët të Parlamentit gjerman është në fund të tetorit. Shqipëria aplikoi për statusin kandidat 6 muaj më parë dhe komisioni pret dritën e gjelbër nga Këshilli i BE-së për të nisur përpilimin e opinionit mbi gatishmërinë e vendit për të marrë statusin kandidat. Në këtë fazë të procesit, dhënia e mandatit ndaj komisionit nuk kërkon diskutime në nivel të lartë përfaqësimi të vendeve anëtare. Me t‘u miratuar në komitetin e përfaqësuesve të përhershëm, këshilli i parë i ministrave europianë që do të mbahet pas këtij takimi do të komunikojë dhënien e pëlqimit mbi kandidaturën, pa diskutime të mëtejshme, në mënyrë që komisioni të nisë procesin teknik me dërgimin e pyetësorit qindra faqesh ndaj autoriteteve shqiptare. Aplikimi i Shqipërisë qëndron në sirtarët e burokracisë europiane prej gati 6 muajsh, duke shënuar periudhën më të zvarritur në rajon për shqyrtimin nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Për rastin e Malit të Zi, BE-ja dha pëlqimin brenda 5 muajve, për Kroacinë pas 2 muajve, po kështu për Maqedoninë, pa përmendur Islandën, e cila aplikoi në korrik, pra, pas Shqipërisë, ku Këshilli i BE-së brenda 3 ditëve i dha menjëherë mandat komisionit për përgatitjen e opinionit mbi këtë kandidaturë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›