Negociatat me BE, Meta merr "timonin" drejtues
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, do të jetë përgjegjësi kryesor i procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Këshilli i Ministrave ka ngarkuar me këtë detyrë dje kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili gëzon gjithashtu dy funksione në kabinetin "Berisha", atë të zv.kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme. Ky vendim ka ardhur në një moment kyç, kur Shqipëria pret përgjigje për statusin e vendit kandidat, por edhe në kuadër të premtimit për liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët brenda vitit 2010. Duket se në këtë rast, nëse diplomacia shqiptare ia arrin qëllimit apo dështon në këtë përpjekje, pjesën më të madhe të faturës do ta marrë dhe paguajë ministri i Jashtëm dhe zv.kryeministri Ilir Meta. Në pikën dy të nenit 5 të vendimit numër 9000 shkruhet se zëvendëskryeministri kryen detyra që parashikohen në ligje të veçanta, si dhe ato që i ngarkohen nga Këshilli i Ministrave ose nga Kryeministri.