E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Shqipëria dhe Serbia kanë të ardhme të përbashkët

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, gjatë një interviste për BBC komentoi takimin e tij me homologun serb Vuk Jeremiç, në të njëjtën ditë kur Kryeministri Sali Berisha vizitonte Kosovën. Sipas Metës, ky takim ka qenë në tërësi i një fryme konstruktive dhe siç theksoi Meta dihen dallimet dhe qëndrimet e ndryshme për çështjen e Kosovës. Meta theksoi se gjatë bisedës me Jeremiç është demonstruar dëshira dhe vullneti i të dyja palëve për të ecur përpara në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale midis Shqipërisë dhe Serbisë, jo vetëm në interesin reciprok të dy vendeve, por edhe në një kuadër më të gjerë, pasi dihet se një bashkëpunim midis Shqipërisë dhe Serbisë jep mesazhe shumë pozitive për një klimë konstruktive për rajonin tonë. Ne, tha Meta, do të vazhdojmë në këtë rrugë, pasi edhe Serbia dhe Shqipëria kanë një të ardhme të përbashkët, atë të Bashkimit Europian, dhe ne dëshirojmë të ecim në një mënyrë konstruktive në këtë drejtim. Ministri i Jashtëm komentoi edhe deklaratën e Kryeministrit shqiptar dhe homologut të tij kosovar, ku u la të kuptohej se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të veçanta, por që kombi shqiptar është një dhe i pandashëm. Meta theksoi se "reagimi ka qenë rezultat i keqinterpretimeve të deklaratave të Kryeministrit Berisha, për më tepër ku ka referenca të cilat janë krejtësisht të pavërteta. Asnjëherë Shqipëria nuk ka deklaruar se synon të unifikojë territoret ku jetojnë shqiptarët. Përkundrazi, shqiptarët kudo që jetojnë janë bërë pjesë e proceseve integruese të vendeve ku ata jetojnë". Gjithashtu gjatë kësaj interviste në BBC, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka komentuar edhe një herë ‘po‘-në e Irlandës për Traktatin e Lisbonës. Sipas Metës, ‘po‘-ja irlandeze është një rezultat tepër pozitiv, po të kemi parasysh dështimin në të kaluarën dhe natyrisht që është një premisë për t‘i hapur rrugë asaj reforme të rëndësishme të vetë BE-së, që parashikohet me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Ne, tha Meta, besojmë se procesi i zgjerimit do të vijojë, aq më tepër kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, ku BE-ja që në Samitin e Selanikut është angazhuar në mënyrë të qartë që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së në të ardhmen. Natyrisht, theksoi ministri i Jashtëm, që është një proces i dyanshëm, ku në radhë të parë kërkohet vijimësia e reformave nga ana e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të këtij rajoni. Ne besojmë, vijoi ai, se edhe gatishmëria dhe vullneti politik i BE-së do të tregohet në të ardhmen për ta përshpejtuar këtë proces.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›