Kufiri detar, Idrizi: Do votojmë kundër
Deputeti Shpëtim Idrizi, njëkohësisht kryetar i ri i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, deklaroi dje në emisionin "Top Show" me titull "Dosja Ç", se kjo parti nuk do të votojë ratifikimin e marrëveshjes Shqipëri-Greqi në Parlament, nëse do të cenohet qoftë edhe një centimetër tokë apo hapësirë ujore e territorit të Shqipërisë. I ftuar në diskutim, analisti Mentor Nazarko i kujtoi zotit Idrizi se një nga çështjet me të cilat ai do të ballafaqohet në momentin kur do të hyjë në Parlament është çështja e asaj çka cilësohet "shelfi kontinental", "pra i marrëveshjes së përcaktimit të ujërave territoriale të Shqipërisë me Greqinë, e cila me të vërtetë është një çështje e ndjeshme, pra një sfidë për identitetin tuaj. Çfarë qëndrimi do të mbani ju zoti Idrizi?", i drejtoi pyetjen Nazarko. Duke kthyer përgjigjen, Idrizi tha se "për partinë tonë nuk është një sfidë e vështirë, sepse ne kemi busull programin tonë dhe çështjen kombëtare". Që nga ky moment, insistoi Idrizi, bien të gjitha hamendësimet dhe konjukturat. "Faktin se shteti shqiptar bashkë me shtetin grek po krijojnë një komision ad hoc për përcaktimin e kufijve detarë, unë do ta quaja një gjë pozitive, sepse ju e dini që kemi një ligj lufte, kemi një deklarim për njohjen e kufijve edhe mbas traktatit të miqësisë. Ne nuk kemi përcaktuar kufijtë tokësorë nga pikëpamja teknike dhe tani po përcaktohen kufijtë detarë", theksoi Idrizi. Pra, vijoi ai, unë e shoh një hap pozitiv që më në fund shteti grek e ka gjithë vullnetin të përcaktojë edhe çështjen e piramidave edhe kufirit tokësor, por sigurisht që e ka nisur nga kufiri detar. "Unë nuk jam ekspert, megjithatë ne shohim që në shtypin e shkruar ka shumë zëra dhe ambiguitete, ka shumë kontestime... ka edhe akuza", tha Idrizi. Ai sqaroi se partia e tij është duke i analizuar këto të dhëna. "Ka qenë një diskutim edhe i ‘Komisionit Nismëtar‘ të PDU-së disa ditë më parë. Ajo që mund të them sot me plot gojën është se, nëse e konsiderojmë, apo jemi të qartë teknikisht që mund të cenohet qoftë edhe një centimetër tokë apo një centimetër e hapësirës ujore shqiptare, ne nuk do ta votojmë këtë ligj. Ky është deklarimi im publik", nënvizoi Idrizi. Më parë, kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka bërë me dije se forca e tij politike do të jetë e hapur për të bashkëpunuar me të gjitha partitë. Kryetari Idrizi ka theksuar se do t‘i kërkojë qeverisë shqiptare të krijojë një institucion të mirëfilltë, komitetin kombëtar të shqiptarëve jashtë vendit, përgjegjës për problematikën e tyre juridike, politike dhe kulturore. "Ne do të jemi zëri parlamentar i një sërë organizatash dhe rrjeteve të shoqatave patriotike në tërë territoret shqipfolëse", tha Idrizi. Kryetari i PDU theksoi gjithashtu se partia e tij do ta koordinojë punën me çdo individ që do të japë idetë e veta për këtë çështje dhe nuk do të bjerë pre e tundimit deri në plotësimin përfundimtar të të gjitha të drejtave dhe lirive që bashkëkombësit shqiptarë meritojnë.