E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Pasaportat dhe kufijtë, po plotësojmë kushtet për heqjen e vizave



Shqipëria ka bërë përparim në drejtim të liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Kështu deklaroi dje ministri i Brendshëm, Lulzim Basha gjatë një takimi me homologun e tij kroat Tomisllav Karamarko. "Ministri Basha informoi gjatë takimit Ministrin Karamarko mbi arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme. Po kështu Basha informoi në takim edhe mbi përparimin e Shqipërisë në fushën e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, duke u ndalur në procesin e pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike dhe në procesin e modernizimit dhe instalimit të teknologjisë më të lartë të kontrollit në pikat e kalimit kufitar", thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme. Sipas njoftimit për mediat ministrat e Kroacisë dhe Maqedonisë vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehën angazhimin për të thelluar këtë bashkëpunim në të gjitha fushat që mbulojnë institucionet që drejtojnë në të dy vendet. I pyetur gjatë konferencës për shtyp mbi raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ministri i Brendshëm tha se Shqipëria ka luftuar në mënyrë agresive trafikun e lëndëve narkotike. "Raporti vlerëson që Shqipëria nuk është më rrugë e preferuar e drogës në tranzit. Në raport thuhet se si rezultat i masave të marra nga Qeveria Shqiptare trafiku i heroinës ka pësuar rënie të ndjeshme vit pas viti. Aty konstatohet qartësisht se policia shqiptare sekuestron sasi të mëdha të heroinës dhe se sasia e heroinës afgane që mbërrin në brigjet italiane është minimale. Objektiviteti i këtij raporti konfirmon edhe një herë atë që kemi thënë se Shqipëria vit pas viti përmirëson indikatorët dhe ndan objektivat e saj për të qenë vendi më armiqësor ndaj këtij trafiku në rajonin e Ballkanit", u shpreh Basha. Në të njëjtën kohë ai bëri të ditur se "lufta kundër korrupsionit dhe narkotrafikut mbetet angazhim madhor i Ministrisë së Brendshme dhe i qeverisë shqiptare dhe se kjo luftë do të vazhdojë në mënyrë që edhe raporti i vitit që vjen të tregojë këtë përmirësim substancial që tregoi raporti i këtij viti".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›