Meta në Helsinki, Finlanda mbështet liberalizimin e vizave
adi shkembi
Finlanda mbështet Shqipërinë për heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian. Në prag të hartimit të raportit nga të dërguarit e Komisionit Evropian, Helsinki zyrtar del në favor të eliminimit të barrierave mes vendit tonë dhe hapësirës Schengen. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Jashtëm i vendit skandinav, Alexander Stubb gjatë një takimi me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta. Kreu i diplomacisë shqiptare e informoi homologun e tij finlandez mbi progresin e Shqipërisë në plotësimin e pyetësorit për arritjen e statusit të vendit kandidat të BE-së dhe veçanërisht mbi plotësimin e detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. "Në këtë kuadër, z. Stubb, vlerësoi përparimin e Shqipërisë dhe progresin e arritur prej saj dhe e siguroi z. Meta për mbështetjen e plotë të Finlandës për integrimin evropian të Shqipërisë si dhe për procesin e liberalizimit të vizave", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme. Ministri Stub theksoi se: "ne e mbështesim fuqimisht zgjerimin e BE dhe ndaj është e rëndësishme që të ecim përpara me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, që patjetër kërkon vazhdimësinë e reformave. Ky proces po ecën në drejtimin e duhur". Duke nënvizuar domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Finlandës, Meta u shpreh se "kjo vizitë përkon me hyrjen në një fazë të re të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fushat e shkëmbimeve ekonomike e tregtare, energjisë, bujqësisë, mjedisit dhe turizmit". Në vijim të vizitës së tij, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Meta u takua edhe me ministrin finlandez të Tregtisë së Jashtme dhe Ndihmave për Zhvillim, Paavo Väyrynen, kryetarin e Parlamentit të Finlandës Sauli Niinisto si dhe raporterin e Këshillit të Evropës Jaakko Laakso.