OSSH qartëson pozicionin në lidhje me aplikimin e çmimeve të reja të energjisë
OSSH dëshiron të qartësojë pozitën e saj në lidhje me rritjen e çmimeve të energjisë. Ashtu siç është informuar dhe më parë opinioni publik, OSSH i ka prezantuar ERE-s dokumentacionin e plotë dhe provat që mbështesin propozimin e saj për rritjen e çmimeve për 2010-n dhe i ka ofruar ERE-s të gjitha përgjigjet dhe specifikimet e kërkuara rishtazi. Kërkesa për rritjen e çmimeve u bazua në nevojën për të financuar investimet dhe përmirësimet e nevojshme në rrjetin ekzistues. Faturat më të larta janë gjithashtu rezultat i kësaj rritje të çmimit me 13% dhe dimrit të gjatë dhe të ftohtë që ka çuar në një shpenzim më të madh të energjisë. OSSH po punon intensivisht për zbulimin e vjedhjeve të energjisë dhe vëzhgimin e matësve të dëmtuar dhe që shpenzimi historik i faturuar i energjisë të vendoset në faturën pasardhëse në këto raste. OSSH e ka kryer faturimin në të njëjtën mënyrë si edhe në mars të vitit 2008. Nuk ka asnjë ndryshim në mënyrën e operimit duke qenë se është teknikisht e pamundur të ndahet në mënyrë strikte shpenzimi i energjisë për dhjetorin dhe janarin. OSSH ka bashkëpunuar vazhdimisht me ERE gjatë procesit të vendimmarrjes. Në aplikimin e tarifave të reja ne u konsultuam me ERE gjatë mbledhjeve të njëpasnjëshme zyrtare në lidhje me mënyrën e procedimit. OSSH e ka bërë faturimin ekzaktësisht si është bërë para privatizimit në mars 2008. OSSH informoi dhe ra dakord me ERE-n që çmimet e reja do të aplikoheshin nëse matja do të bëhej mbas datës 20 dhjetor. Nëse data e matjes në faturë është para datës 20, atëherë faturat që do të sillen nga konsumatoret do të kontrollohen imtësisht dhe në rast të një ankese të justifikuar, e gjitha shuma e faturuar gabimisht do të zbritet nga fatura e muajit të ardhshëm. OSSH paraqet zgjidhjen e mëposhtme: Procedura standarde do të jetë që çdo konsumator mund të paraqesë ankesën e tij në lidhje me faturën në agjencinë lokale të OSSH-së. Çdo rast do të hetohet dhe vlerësohet individualisht. Ankesat të cilave ju është provuar vërtetësia do të zgjidhen me kompensimin e plote të shumës të faturuar gabimisht. OSSH do të njoftojë klientët e saj për procedurat që duhen ndjekur pranë arkave të saj. Në rast ankese, nuk do të thotë që faturat nuk do të paguhen. Nëse kjo ndodh, klientët do ta vënë vetën në riskun e shkëputjes së energjisë elektrike bazuar në ligjet dhe rregullat e tregut. Menaxhimi i lartë i OSSH-së është i pakënaqur me rezultatet e përgjithshme të proceseve të matjes dhe faturimit të energjisë i cili ka rezultuar në ankesa nga konsumatorët. OSSH është e vendosur për përmirësimin e cilësisë të të dhënave nga matja e energjisë dhe do të vazhdojë të monitorojë faturuesit në mënyrë që ata të mos abuzojnë me klientët. Drejtori i shitjeve i OSSH u vu përpara përgjegjësisë dhe u largua nga detyra në 2 mars 2010. CEZ, kompania menaxhuese e OSSH-së po zbaton praktikat më të mira të sektorit energjetik në operacionet e OSSH-së, në mënyrë që ta transformoje atë në një kompani eficiente e cila bën gjithë përpjekjet e saj për të siguruar një nivel të lartë shërbimi tek 1 milion klientët e saj.
HEC-i i ri i Ashtës, austriaket nisin punimet
Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi se gjatë këtij muaji do të nis ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës. Sipas ministrit të Ekonomisë, ndërtimi i këtij projekti energjetik do ti sjell vendit një sasi shtesë energjie prej 50 megavatesh, gjë që do të ulë dhe nivelin e importeve. Deklarata e Priftit u bë dje gjatë takimi me anëtarin e bordit të kompanisë “Verbund”, e cila do të realizojë investimin. Ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës, një prej projekteve më të mëdha energjetike të viteve të fundit. Verbund është kompania kryesuese e energjisë elektrike në Austri dhe ndër kompanitë më të mira të prodhimit të energjisë elektrike në Evropë. Investimi arrin në shumën e 160 milion euro dhe HEC-i i Ashtës do të ketë një kapacitet prodhues që do të furnizojë me energji 100,000 familje shqiptare. Veç kësaj, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se ky ndërtim do të krijojë vende të reja pune dhe të japë një impuls pozitiv zhvillimi për zonën dhe vendin në përgjithësi. Kontrata për nisjen e ndërtimit e veprës publike është nënshkruar në dhjetor 2009 në Tiranë me përfaqësuesit e kompanisë Austriake “Porr Technobau und Umëelt AG” e cila do të punojë ngushtë me kompanitë vendase si për shembull “ALBTIEFBAU Shpk” nga Shkodra. Më tej, për projektin e Ashtës kompania Verbund ka marrë përsipër të zbatojë të njëjtat standarde evropiane si në Austri.
4 Mars 2010