E Diel, 1 Nëntor 2026

Të përmbyturit kompensim me këste, paratë shkojnë për urën mbi Bunë



Ervin KOÇI

Si të mos mjaftonte fatkeqësia njerëzore e përsëritur për të dytën herë brenda dy muajve nga qeveria, banorët e përmbytur në zonën e Shkodrës do të kompensohen me këste. Kompensimi i tyre financiar, të paktën për aq dëme materiale sa u janë llogaritur deri tani nga Shtabi i Emergjencave, do të zgjasë të paktën në disa vite. Kjo për faktin se qeveria ka vendosur papritur që të mos ketë si prioritare procesin e dëmshpërblimit, por atë të financimit të parave të mbledhura për këtë qëllim në infrastrukturën e zonës. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, paratë e akorduara nga buxheti i shtetit për kompensimin dhe dëmshpërblimin e pasojave të dëmeve materiale të shkaktuara nga përmbytjet e janarit 2010 të banorëve në qarkun e Shkodrës, do të investohen në urën e re e cila do të ngrihet mbi lumin Bunë, si dhe në rehabilitimin e argjinaturës së lumenjve Bunë dhe Drin. Këtë fond MF-ja do ta ndajë pjesërisht për Ministrinë e Bujqësisë dhe pjesërisht për Ministrinë e Punëve Publike, të cilat do të merren me zbatimin e projekteve të mësipërme. Por në një kohë që qeveria synon të zbatojë këto projekte, banorët në zonat e përmbytura të cilët tashmë janë përmbytur për të dytën herë presin nga qeveria kompensimin sipas premtimit të bërë nga Kryeministri Berisha.

Projekti
Një pjesë e fondit të mbledhur nga donacionet për familjet e prekura nga përmbytjet në veri të vendit do të shkojë në projekte rrugore, si dhe argjinaturash të lumenjve. Me një vendim të posaçëm, qeveria shtoi buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Punëve Publike, në mënyrë që të menaxhojnë si duhet situatën e krijuar nga përmbytjet. Bëhet fjalë për 163.674.300 lekë, që shkojnë për qarqet Lezhë dhe Shkodër përmes dy ministrive, ku një pjesë e parave do të sigurohet nga Shtabi i Emergjencës Civile, i cili në ditët e përmbytjeve hapi llogari bankare për familjet e prekura. Gati 113 milionë lekë do të përdoren për restaurimin e argjinaturave të lumenjve që kalojnë në zonën e Shkodrës dhe atë të Lezhës, të cilat pas përmbytjeve në shumë pjesë kanë dalë jashtë funksionit të tyre. Kështu në bazë të këtij vendimi, në zonën e Shkodrës për vitin 2010 do të ndërmerret thellimi i grykëderdhjes së Bunës dhe do të rregullohen argjinaturat në zonën e Velipojës, Dajçit dhe Komunës së Gurit të Zi. Në Qarkun e Lezhës mbetet primare restaurimi i hidrovorit të Tales dhe riparimi i argjinaturës në ishullin e Shën-Gjinit. Në buxhetin që i shtohet MBUMK-së përfshihen koncentratet dhe ushqimet për blegtorinë e zonës. Po ashtu, në 2010-n do të rikonstruktohet ura e lumit Buna, ura e Drinit në Fierzë dhe do të prishet ura e vjetër e Gjolulit. Krahas këtyre, një pjesë e konsiderueshme e këtij buxheti sipas VKM-së do të shkojë në restaurimin e kanaleve ujësjellës dhe shkarkuese të Qarkut të Shkodrës dhe Lezhës. Sipas qeverisë, do të merren pajisje dhe masa inxhinierike që të mund të zbehin dalëngadalë përmbytjet e këtij viti.

Dëmet
Fermerët në zonat e përmbytura të Shkodrës dhe Lezhës, janë shprehur të pakënaqur nga vlerësimi që deri tani u është bërë dëmeve të tyre, sidomos atyre blegtorale. Shumë fermerë ankohen se grupet e punëve dhe specialistët e ministrisë së bujqësisë nuk u kanë regjistruar të gjitha kafshët e ngordhura nga përmbytjet e para, e për pasojë ata nuk mund të marrin dëmshpërblim për të gjitha gjedhët ose bagëtitë e humbura. Pas verifikimeve që janë bërë nga Ministria e Bujqësisë në zonën e Shkodrës për dëmet e krijuara nga përmbytjet e janarit 2010, rezulton se fondet e nevojshme për kompensim janë vetëm 10.4 milionë lekë, nga 35.4 milionë lekë që ishte fondi i vënë në dispozicion për veterinarinë. Sipas verifikimeve të deritanishme që janë bërë nga grupi i ekspertëve, ka rezultuar se nga gjëja e gjallë janë dëmtuar 19 gjedhë, 169 bagëti të imta, 9 derra, 4695 shpendë, 2 kuaj dhe 226 koshere bletësh. Por ndryshe nga sa deklarojnë dhe kanë regjistruar ekspertët e MBUMK-së, fermerët pretendojnë krejt të kundërtën duke thënë se kafshët e ngordhura janë shumë herë më tepër. Në mjaftë raste ata e kanë faktuar këtë duke i grumbulluar dhe lënë para oborreve të shtëpive kafshët e ngordhura me qëllim që ekspertët e bujqësisë të vijnë e ti numërojnë. Këto veprime mbartin dhe rrezikun e infeksioneve dhe sëmundjeve prej bagëtive të ngordhura që vazhdojnë të jenë të ekspozuara. Por fermerët nuk pranojnë që ti groposin ose djegin ato, pa u bërë më parë sipas tyre, numërimi dhe llogaritja nga ana e specialistëve të bujqësisë.

4 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›